Skip to content
Politikë

U kontrollua nga agjentët e BKH-së, thirret në SPAK drejtori i Ujësjellësit

· 2 min lexim

Drejtori i Ujësjellësit në Elbasan, Luan Tabaku, është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Thirrja ndaj tij vjen pak ditë pas kontrolleve të zhvilluara nga agjentët e BKH, në zyrën dhe banesën e tij.

Sipas burimeve policore, kontrollet janë pjesë e një hetimi më të gjerë që lidhet me aktivitetin e dyshuar kriminal të grupit të Suel Çelës.

Objektiv i këtyre kontrolleve ka qenë gjetja dhe sekuestrimi i dokumenteve, pajisjeve elektronike dhe provave të tjera që mund të ndihmojnë në zbardhjen e çështjes.

Në kuadër të këtij operacioni, Prokuroria e Posaçme ka autorizuar kontrolle të shumta në qytetin e Elbasanit, përfshirë zyrat dhe banesat e disa zyrtarëve të lartë lokalë.

Në fokus kanë qenë tenderë të dyshimtë që dyshohet se mund të jenë përdorur për përfitime të paligjshme nga anëtarë të grupit në fjalë.

Emri i Luan Tabakut është lakuar edhe më herët në opinionin publik, pasi ishte mes personave të përmendur në lidhje me ngjarjen e bujshme të vitit 2021, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani në Elbasan.

Hetimet vijojnë, ndërsa SPAK pritet të hedhë më shumë dritë mbi lidhjet e mundshme të zyrtarëve lokalë me rrjete kriminale dhe shkelje të ligjit në procesin e tenderimeve publike.