Skip to content
Kronikë

U konfliktua me të renë spanjolle, arrestohet shijakasi nën akuza për prostitucion

· 2 min lexim

Një 39-vjeçar nga Shijaku, i cili pak kohë më parë u konfliktua me një vajzë të re nga Barcelona është arrestuar nga policia. Policia bën me dije se 39-vjeçari e shfrytëzonte disa shtetase të huaja për prostitucion, aktivitet i cili zhvillohej në një hotel të qytetit bregdetar.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë hetimet e thelluara për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e implikuar në një rast prostitucioni, të goditur nga Policia, më datë 6 mars 2024.

Vihet në pranga 39-vjeçari që u konfliktua me 23-vjeçaren nga Barcelona.

Ai akuzohet se shfrytëzonte për prostitucion, këtë shtetase dhe 4 të tjera të huaja, në një banesë me qira, në lagjen nr. 2, ku gjithashtu konsumoheshin lëndë narkotike.

Më herët, për rastin u proceduan penalisht 5 shtetaset e huaja.

Si rezultat i veprimeve hetimore, të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për të përcaktuar plotësisht autorësinë dhe rrethanat e mbajtjes së një banese në lagjen nr. 2, Durrës, për prostitucion dhe për konsumim të lëndëve narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë, për ndalimin e shtetasit I. Z., 39 vjeç, banues në Shijak.

Në lidhje me rastin, për këtë shtetas është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.