Levian Goga, emigranti shqiptar që u hodh në ujërat e ftohta të lumit Arahthos për të shpëtuar dy fëmijë grekë, ka folur për herë të parë për mediat lidhur me ngjarjen që tronditi Greqinë javën e kaluar.
Pa hezitim, Goga ndërhyri për të shpëtuar dy djem të mitur, 12 dhe 14 vjeç, të cilët ishin duke u mbytur. Edhe pse arriti t’i nxirrte nga lumi, të miturit nuk arritën të mbijetonin dhe më vonë u konfirmua se kishin pësuar vdekje klinike.
Familjet e tyre morën vendimin të dhurojnë organet, duke shpëtuar jetë të tjera.
Në një rrëfim për mediat greke, Levian tha se nuk kishte asnjë motiv për famë apo përfitime materiale. “Jam baba dhe bëra atë që do të bënte çdo prind për një fëmijë në rrezik”, u shpreh ai, duke e quajtur aktin e tij një reagim të natyrshëm dhe njerëzor.
Lidhur me lajmin se do të pajiset me nënshtetësi greke për aktin e tij të guximshëm, Goga theksoi se nuk e ndërmori këtë veprim për përfitime apo njohje nga shteti.
Ai falënderoi me mirënjohje të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë, përfshirë mjekët e spitaleve në Artë dhe Patra si dhe ministrin grek të Shëndetësisë, i cili e telefonoi personalisht për të marrë informacion mbi shëndetin e tij.
Sa i përket gjendjes shëndetësore, Goga bëri të ditur se është jashtë rrezikut, por ka ende prani uji dhe gjaku në mushkëri, pas përballjes me rrjedhën e fortë të lumit.
Pjesë nga deklarata e tij në mediat greke:
E bëra sepse mendova se ishte fëmija im aty brenda. Nuk bëra heroizëm, bëra atë që më diktoi zemra. Do t’i bëj tatuazh fëmijët për t’i pasur gjithmonë në zemrën time. Nuk e bëra për nënshtetësinë. Jam 20 vjet këtu, herë me dokumente, herë pa. Erdha në Greqi 17 vjeç, tani jam 41. Kjo është vendi ku kam kaluar jetën. Nuk kam shkuar askund tjetër, as në Itali. Greqia është si atdheu im i dytë.
Kam pak ujë dhe gjak në mushkëri, por jam mirë. Falënderoj mjekët që u kujdesën për mua dhe për fëmijët. Kam marrë telefonata nga gjithë Greqia. Nga njerëz të thjeshtë, ministra, të gjithë ata që e panë numrin tim, më kanë telefonuar.
I lutem shtetit t’i ndihmojë. Kanë vetëm 20 ditë afat me dokumentet dhe rrezikojnë gjobë nëse dalin nga vendi. Do të donin të qëndronin këtu, të vendosin një lule mbi varrin e djalit të tyre. Ndihmojini.
Aty lumi është shumë i thellë, deri në 7 metra. Është shumë i rrezikshëm. Duhet vendosur një tabelë paralajmëruese që të mos përsëritet më kjo tragjedi. Fëmijët janë fëmijë, nuk mund t’i ndalosh gjithmonë. Nuk mund të jesh 24 orë pas tyre.