Skip to content
Aktualitet

U fotografua me këmbët përpjetë në makinën zyrtare, Haradinaj shkarkon ministrin

· 1 min lexim

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkarkuar nga detyra zëvendësministrin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Shukri Maxhuni.

Ky i fundit, disa ditë më parë u fotografua në makinën zyrtare, teksa i mbante këmbët përpjetë, mbi kroskotin e makinës, pranë xhamit të përparmë.

Njoftimi nga kryeministri i Kosovës ka qenë i shkurtër në rrjetin social Facebook, ku nuk ka bërë asgjë të mëtejshme me dije.

“Sot kam liruar nga detyra zëvendësministrin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Shukri Maxhuni”, ka qenë njoftimi i Haradinaj.

Fillimisht ka qenë zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli që ka reaguar ndaj veprimit të zëvendësministrit të Bujqësisë, duke kërkuar shkarkimin e tij.

Pacolli kishte thënë se pavarësisht se kush është, veprimi i Maxhunit në veturën zyrtare është një akt i papranishëm që nuk pasqyron vizionin tonë për zhvillim dhe shërbime më të mira për qytetarët tanë.