Një 34-vjeçar është gjendur i vrarë mëngjesin e sotëm në zonën e Fushë Krujës. Mësohet se bëhet fjalë për shtetasin Indrit Ndoj, trupi i pajetë i të cilit është gjetur i hedhur në një kanal. Trupi i viktimës u konstatua nga familjarët e tij. Sipas të dhënave nga vendngjarja Ndoj kur është gjetur nga familjarët ka pasur këmbë një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit, si dhe dëmtime në pjesë të tjera të trupit.
Duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor dhe të dhënave paraprake nga autoritetet, policia dyshon se 34-vjeçari është qëlluar me armë zjarri në këmbë, jo në vendin ku u gjet trupi, por në një vend tjetër dhe më pas është hedhur në kanal.
Dyshimet në lidhje me këtë alibi shtohen pasi mësohet se Ndoj ka qenë duke lëvizur me biçikletë, por në vendin ku u gjet trupi nuk është gjetur biçikleta. Po ashtu në kanalin ku u gjet trupi i pajetë i viktimës, policia nuk ka konstatuar asnjë gëzhojë të një arme zjarri.
Policia ende nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare dhe nuk dihen ende motivet e kësaj ngjarje të rëndë.
Familjarët kanë deklaruar se ai nuk ka pasur konflikte me askënd, ndërsa viktima rezulton i arrestuar në vitin 2021 për trafik të paligjshëm emigrantësh.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur natën pasi i riu banonte në një shtëpi në fshatin Hasan i vetëm, ndërsa familja në një banesë në lagjen “Bakushe Visha”.