Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Shkodrës një ditë më parë. Një 10-vjeçar me inicialet N.Y., nga njësia Guri i Zi, ka humbur jetën tragjikisht pasi po tentonte të bënte një video sikur po vetëvritej , me qëllimin për ta hedhur në rrjetin social Tik Tok.
Sipas burimeve kjo tentativë e vetëvrasjes së 10-vjeçarit e nisur si një shaka ka përfunduar në një tragjedi për atë, familjen, të afërmit dhe rrethin shoqëror.
Sipas burimeve i mituri ndodhej i vetëm në atë moment kur po tentonte të realizonte këtë video dhe papritur diçka nuk ka shkuar mirë për të duke bërë që të humb jetën në vetëm pak minuta. Kanë qenë familjarët ata që e kanë gjetur të vetëvarur 10-vjeçarin i cili ishte nxënës i shkollës “Atë Gjon Karma” në njësinë Guri i Zi.
Menjëherë familjarët janë munduar t’i japin ndihmën e parë, por ka qenë e pamundur pasi fëmija kishte humbur jetën. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe forca të shumta policie dhe pas këqyrjes së vendit nga hetimet paraprake rezulton se 10 vjeçari ka dashur të bëjë një video në Tik Tok sikur po vetëvritej por mjeti ku ai kishte hipur ka lëvizur dhe në këtë mënyrë ka mbetur i varur në pamundësi për të gjetur një rrugë shpëtimi.
Forcat e polcisë vijojnë hetimit për të zbardhur ngjarjen e plotë e cila shokoi banorëët e Gurit të Zi por edhe më gjerë. Burime nga shkolla ku ai bënte mësim bëjnë të ditur se 10 vjeçari nuk ka qenë një fëmijë problematik, përkundrazi është cilësuar si një fëmijë i zgjuar dhe me shkathtësi por edhe një nxënës i mirë në mësime.
Të shokuar kanë mbetur edhe mësuesit e shkollës si dhe nxënësit e tjerë të cilët kanë mësuar fatin e keq të bashkëmoshatarit të tyre.