Tronditëse në rrugën e Thethit, një gur gjigant bie mbi makinë dhe përfundon në kabinë, turistët shpëtojnë për mrekulli

Një ngjarje që mund të kishte përfunduar në tragjedi është shmangur për mrekulli në rrugën drejt Thethit, ku një gur i madh është shkëputur nga shkëmbi dhe ka rënë mbi një automjet me turistë.

Sipas informacioneve, guri ka goditur fillimisht pjesën e sipërme të makinës dhe, për shkak të peshës së madhe, ka depërtuar brenda kabinës. Ai ka përfunduar mes sediljes së shoferit dhe asaj të pasagjerit të parë.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë dëmet e shkaktuara në automjet, ndërsa pozicioni ku ka përfunduar guri tregon se përplasja mund të kishte pasur pasoja të rënda.
Pavarësisht rrezikut të madh, të gjithë turistët që ndodheshin në automjet kanë shpëtuar pa asnjë lëndim dhe janë jashtë rrezikut për jetën.