Një biznes në zonën e ish-kënetës ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit. Shpërthimi ka ndodhur në pjesën e jashtme të biznesit, i cili mësohet se është në pronësi të Shaban Agës. Sipas policisë, në fasadën e dyqanit të Shaban Agës , 58 vjeç, rreth orës 03.10, në lagjen 17/1 rruga “Shenjtoret”,dyshohet se shtetasi D.K, 31 vjec, banues në Burrel, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë hedhur një sasi të vogël lëndë plasëse. Nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të mëparshëm mes shtetasit SH.A. dhe D.K. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për dokumentimin ligjor të autorësisë së kësaj ngjarjeje.Ndërkohë ky shpërthim ka shkaktuar panik të madh te banorët e zonës. Banorët janë shprehur të tronditur për ngjarjen, teksa kanë thënë se është e përsëritur. Fatmirësisht nga ky shpërthim pati vetëm dëme materiale dhe nuk pati asnjë person të lënduar. “Na hodhën tritol, na tmerruan. Është e pesta herë që na ndodh”, janë shprehur banorët. Kamerat e zonës kanë filmuar çdo gjë ka ndodhur. Kujtojmë se si pasojë e një shpërthimi me tritol pak ditë më parë mbeti i vrarë Aleksandër Sadikaj, të cilit iu vu 500 g lëndë plasëse në makinë, e cila u shpërthye në distancë me telekomandë nga autorët. Nga kjo ngjarje fatmirësisht nuk u dëmtuan kalimtarë të rastit.