Shqipëria ka një “destabilitet” edhe në lidhje me tregun e punës në vend, ku shumë individë ankohen se nuk gjejnë punë, por nga ana tjetër shumë sektorë kanë nevojë për të punësuar persona.
Por nuk është vetëm kjo një anomali. Edhe në raportin midis të rinjve dhe atyre në moshë më të rritur, përsëri tregu i punës paraqet probleme, pasi tek të rinjtë është mungesa e eksperiencës, ndërsa tek të rriturit janë pretendimet për kushtet e punës dhe pagat.
Por ajo që është vërejtur gjatë muajve të pandemisë së koronavirusit në vendin tonë, këtë vit, është fakti se në një kohë që të rinjtë nuk kanë reshtur përpjekjet për t’u larguar nga vendi, kanë qenë pensionistët ata që kanë zënë vende pune, ose janë ripunësuar nga subjekte të ndryshme.
Kështu sipas të dhënave që prezantohen nga INSTAT, tregu i punës në Shqipëri, u ndesh me vështirësi sidomos në 3-mujorin e dytë të këtij viti, si pasojë e efekteve negative të masave kufizuese, për shkak të pandemisë. Por ajo që vihet re është fakti se punësimi i pensionistëve nuk u ndikua aspak nga kjo situatë.
Përkundrazi, në kulmin e karantinës (prill-qershor) kur mijëra persona në moshë pune mbetën të papunë, numri pensionisteve që punonin u rrit me 1.2% në krahasim me 3-mujorin e parë, sipas të dhënave të INSTAT.
Punësimi i pensionistëve
Tredi i vendeve europiane ku popullsia është mjaftë e plakur, por gjithsesi vijon të jetë në marrëdhënie pune, duket se po përhapet me shpejtësi edhe në Shqipëri.
Për shkak se këtë vit popullsia e vendit do të futet në procesin e plakjes së shpejtë të popullsisë, numri i pensionistëve parashikohet se do të rritet në vijim me ritme më të shpejta.
Në 3-mujorin e dytë të vitit 2020, ishin të punësuar 64.218 persona mbi 64 vjeç, ose 769 më shumë se në 3-mujorin e parë, raporton INSTAT.
Plakja e popullsisë, rritja e jetëgjatësisë dhe emigrimi i lartë i të rinjve, po bën që gjithnjë e më shumë persona në moshë “aktive” pensioni, të jenë të integruar në tregun e punës.
Kjo tendencë u pa edhe në pjesëmarrjen e moshës mbi 64 vjeç në forcën e punës, e cila arriti në 15,6% në 3-mujorin e dytë, me një rritje 1 pikë përqindje në raport me 3-mujorin e parë.
Që nga viti 2015, pjesëmarrja në forcën e punës të personave mbi 64 vjeç është dyfishuar.
Skema e qeverisë
Popullsia e Shqipërisë po plaket me shpejtësi dhe në shumë sektorë, mosha mesatare e punonjësve po kalon mbi 50 vjeç. Nevojat gjithnjë e më të mëdha për punonjës në disa sektorë, po shtyn moshën e tretë drejt tregut të punës.
Një pjesë e madhe e tyre sipas të dhënave të INSTAT, janë të vetëpunësuar pa pagesë në bizneset e familjes.
Për të nxitur dëshirën për punë në moshat mbi 65 vjeç, qeveria miratoi një skemë shpërblimi në vitin 2018, e cila nuk është vënë ende në zbatim, për shkak të mungesës së udhëzimeve.
Në vendimin e qeverisë u vendos që për çdo vit pune, pensionisti që punon të marrë një shtesë mbi pension e caktuar prej 2.4% në vit.
Mosha e tretë do të përfshihet gjithnjë e më shumë në tregun e punës në Europë dhe Shqipëri, për shkak se, rritja e jetëgjatësie i bën eficientë personat edhe mbi moshën 65 vjeç.
Gjithashtu, zhvillimi i teknologjisë mund të stimulojë punën në distancë për personat e moshës së tretë, të cilët mund të ndajnë përvojat e tyre sidomos në mësimdhënie, financë dhe shumë profesione të tjera.
Pensionistet që punojnë lehtësojnë skemat e sigurimeve shoqërore, të cilat paraqiten mjaft të rënduara nga procesi i plakjes së popullsisë.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore, parashikon se, në tre vitet e ardhshme, 2020-2022 numri i pensionistëve që shtohen në skemën e sigurimeve shoqërore, arrijnë në 48 mijë, me një shtesë vjetore mesatarisht 16 mijë pensionistësh të rinj në vit.
/Burimi: INSTAT/GazetaReforma.com/