Skip to content
Bota

Tragjedi në Itali! Shqiptari humb jetën pasi u shtyp nga një kamion ndërtimi

· 1 min lexim

Një tjetër tragjedi në vendin e punës është shënuar mëngjesin e 19 majit në komunën Vernio, pranë Pratos në Itali.

Viktima është një punëtor shqiptar, 56 vjeç, i cili humbi jetën pasi u shtyp nga një kamion ndërtimi në zonën “via del Bisenzio”, në fshatin Mercatale.

Sipas mediave italiane, mjeti humbi papritur tërheqjen në asfalt dhe lëvizi në mënyrë të pakontrolluar, duke e goditur punëtorin.

Mjeti e goditi punëtorin duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, më pas përfundoi në një kanal buzë rrugës. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00 paradite.

Punëtori ishte i angazhuar në një kompani që punonte për llogari të Hekurudhave Shtetërore italiane. Ndërhyrja e shpejtë e ambulancës 118 dhe shërbimeve të emergjencës nuk arriti të shpëtojë jetën e tij.

Në vendngjarje mbërritën gjithashtu zjarrfikësit, karabinierët, policia bashkiake dhe inspektorët e ASL Centro për të hetuar shkaqet.

Prokuroria e Pratos, nën drejtimin e prokurorit Luca Tescaroli, ka hapur hetim për vrasje nga pakujdesia.

Janë sekuestruar kamioni dhe zona ku ndodhi aksidenti, ndërsa po zhvillohet një inspektim i detajuar për të rindërtuar ngjarjen dhe për të përcaktuar përgjegjësit penalë.