Skip to content
Kryesore

‘Tony Montana shqiptar’ kapet në Itali me 27 kg drogë

· 1 min lexim

Një 29-vjeçar shqiptar është arrestuar në qytetin Vigevano të Italisë, pasi në banesën e tij u sekuestruan 27 kilogramë lëndë narkotike.

Mes tyre, 22 kilogramë hashash ishin fshehur në frigorifer, të ndara në 122 pako, ndërsa 5 kilogramë kokainë ishin shpërndarë në vende të ndryshme të apartamentit.

Blloqet e kokainës kishin të stampuar imazhin e aktorit Al Pacino në rolin e “Scarface” ose ishin paketuar në qese hermetike, të mbyllura me nxehtësi.

Operacioni u drejtua nga karabinierët e Genova Centro, të cilët prej kohësh kishin vëzhguar të riun për shkak të lëvizjeve të dyshimta.

Pasi e ndoqën deri te banesa, u organizua një ndalim në bashkëpunim me karabinierët lokalë të Vigevanos.

Gjatë kontrollit fizik iu gjetën fillimisht 58 gramë kokainë, çka çoi në bastisjen e apartamentit, ku u zbulua edhe sasia e madhe e drogës.

Në banesë u sekuestruan gjithashtu rreth 7 mijë euro cash, të dyshuara si të ardhura nga trafiku i drogës. 29-vjeçari ndodhet aktualisht në burgun e Pavias, në pritje të seancës për konfirmimin e masës së arrestit.

Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të identifikuar rrjetin dhe personat e tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.