Skip to content
Bota

Tjetër tragjedi në Indi/ Rrëzohet helikopteri me pelegrinë, humbin jetën shtatë persona

· 3 min lexim

India është përballur me një tjetër tragjedi ajrore mëngjesin e së dielës, kur një helikopter që transportonte pelegrinë hindu u rrëzua në rajonin malor të Uttarakhandit. Të shtatë personat në bord humbën jetën.

Helikopteri i kompanisë private Aryan Aviation ishte nisur nga Kedarnath drejt Guptkashit, por vetëm pak minuta pas ngritjes, u përplas në një zonë pyjore pranë rrugës së pelegrinazhit, rreth orës 05:30 të mëngjesit.

Sipas autoriteteve, rrëzimi dyshohet të jetë shkaktuar nga kushtet e këqija atmosferike që shpesh karakterizojnë këtë zonë të Himalajeve.

Ndër viktimat ishin piloti dhe pelegrinë nga shtetet indiane të Uttar Pradesh, Maharashtra dhe Gujarat. Trupat e tyre u dogjën rëndë për shkak të zjarrit që shpërtheu pas përplasjes.

Rreziku i lartë për aksidente në këtë zonë është tashmë i njohur. Vetëm më 7 qershor, një tjetër helikopter bëri një ulje emergjente në një autostradë në të njëjtën luginë për shkak të problemeve teknike.

Ndërsa më 8 maj, një tjetër helikopter u rrëzua në distriktin Uttarkashi, duke shkaktuar vdekjen e gjashtë personave

Ndërkohë, vendi ende nuk është shëruar nga shoku i një tragjedie edhe më të rëndë, më 12 qershor, një avion i kompanisë Air India, i tipit Boeing 787 Dreamliner, u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabadit, në shtetin Gujarat, duke shkaktuar 279 viktima.

Kjo e bën aksidentin një ndër më të rëndët në historinë e aviacionit civil të shekullit XXI.

Fluturimi AI171 kishte për destinacion Londrën dhe po transportonte 230 pasagjerë, përfshirë 169 indianë, 53 britanikë, 7 portugezë dhe 1 kanadez si dhe 12 anëtarë ekuipazhi.

Vetëm një pasagjer mbijetoi, një shtetas britanik me origjinë indiane, i cili ndodhej në pjesën e përparme të avionit. Ai u shpëtua nga rrënojat dhe aktualisht ndodhet në spital në gjendje të rëndë.

Avioni u përplas mbi një kompleks banimi pranë aeroportit, ku jetonin mjekë dhe studentë të mjekësisë, duke shkaktuar edhe viktima në tokë.

Shumë nga trupat janë dëmtuar rëndë dhe identifikimi i tyre po realizohet përmes analizave të ADN-së.

Ministri i Brendshëm i Indisë, Amit Shah, ka deklaruar se nuk do të ketë publikim të raportit përfundimtar përpara përfundimit të të gjitha analizave teknike dhe mjeko-ligjore.

Ngjarjet tragjike të ditëve të fundit kanë rikthyer vëmendjen ndërkombëtare mbi sigurinë ajrore në Indi, veçanërisht në rajonet me terren të vështirë, si dhe mbi standardet e mirëmbajtjes së mjeteve fluturuese në vend.