Skip to content
Kryesore

Thyen arrestin shtëpiak, drejtoresha e Ministrisë së Brendshme tenton t’i djegë makinën ish-partnerit, pasi më herët i kishte djegur krevatin

· 2 min lexim

Drejtoresha e Politikave të Migracionit, Azilit dhe Antitrafikut në Ministria e Brendshme, Alma Bime, është arrestuar sërish nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe ka tentuar t’i vërë flakën automjetit të ish-bashkëjetuesit të saj.

Në njoftimin zyrtar, policia bën me dije se: “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4., arrestuan shtetasen A. B., 43 vjeçe, pasi dyshohet se ka thyer masën e sigurisë ‘Arrest në shtëpi’ si dhe ka tentuar t’i djegë automjetin ish-bashkëjetuesit”.

Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi, më 30 dhjetor 2025, Gjykata e Tiranës caktoi ndaj zyrtares masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Vendimi u mor pas dyshimeve se ajo kishte djegur një orendi shtëpiake në banesën e ish-bashkëjetuesit të saj, Mareglen Tomori, në zonën e Kinostudios, pranë rrugës “Hysen Gjura”.

Sipas të dhënave, bëhet fjalë për djegien e një krevati në vilën ku banonte ish-partneri i saj. Pas këtij episodi, Bime dyshohet se është konfliktuar edhe me një shtetas të huaj, të cilin e ka akuzuar për bashkëpunim me ish-bashkëjetuesin dhe se do t’ia hiqte lejen e qëndrimit në Shqipëri.

Autoritetet policore po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe për shkeljen e masës së sigurisë të vendosur nga gjykata.