Skip to content
Të Gjitha

Themeloi pluralizmin në Shqipëri, politika përkujton sot Azem Hajdarin

· 2 min lexim

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë,  kanë nisur homazhet për heroin e demokracisë, Azem Hajdarin, tek Varrezat e Dëshmorëve.

E para që vendosi kurorën me lule ishte vajza e tij, njëkohësisht edhe deputete e PD, Rudina Hajdari, shkruan “Shqiptarja.com”.

Ndërkohë presidenti Ilir Meta, i bëri homazhet tek memorial i Azem Hajdarit, pranë selisë së PD.

Meta u shpreh, se Azem Hajdari e vendosi vendin në rrugën e zgjedhjeve të lira e të ndershme, të cilën duhet ta mbrojmë me çdo çmim.

“Sot ishte një detyrim për të nisur ditën me nderimin e kujtimin e përjetshëm të Azem Hajdarit. Liderit të Lëvizjes Studentore, që soli pluralizmin. Ajo është lëvizja më e rëndësishme e vendit tonë. E vendosi vendin tonë në rrugën e duhur, pluralizmit politik dhe zgjedhjeve te lira të ndershme, që janë kollona e çdo sistemi politik dhe që duhen mbrojtur natë e ditë dhe me çdo çmim”, u shpreh presidenti.

Kujtojmë këtu se Azem Hajdari u vra në 12 shtator të vitit 1998 në Tiranë, në moshën 35-vjeçare.

Ai njihet si ish-udhëheqës i Lëvizjes Studentore dhe si themelues i pluralizmit.

Hajdari ishte një nga themeltarët e PD-së, e cila pas komunizmit është partia e parë opozitare.

Vrasja e tij është ende një nga misteret më të mëdha të shekullit të kaluar.

Rreth eleminimit të tij ka skenare nga më të ndryshmet, që nga hakmarrja, rivaliteti politik, grindje, etj.