Pas skandalit të fundit tronditës të mandarinave të helmuara, një investigim nga “Piranjat” zbulon një të vërtetë edhe më tmerruese: 35 pesticide kancerogjene qarkullojnë lirisht në produktet ushqimore që konsumojmë çdo ditë, ndërsa institucionet zgjedhin heshtjen.
Sipas ekspertit të sigurisë ushqimore, Sokol Abazi, situata është alarmante: “Ka pesticide që gjenden në briosh, pasi vijnë për shkak të produkteve që kanë, drithërave dhe mund të jenë futur. Në ullinj, për shembull, në konserva ullinjsh, në vaj ulliri, nuk i vete mendja njeriut… Janë gjetur në bimë medicinale apo bimë aromatike, majdanoze apo kopër.”
Pasojat shëndetësore që sjellin këto pesticide janë të rënda. Sjell efekte kancerogjene, efekte mbi sistemin e qarkullimit të gjakut, keqformime në lindje. Probleme me infertilitetin, çrregullim të sistemit imunitar, demencë.
Skandaloze është përgjigjja e Ministrisë së Bujqësisë, me në krye Anila Denajn. Në një shkresë zyrtare drejtuar “Piranjave”, ministria pranon se AKU me në krye Denar Bibën, nuk disponon informacion mbi rastet e konstatimit të pesticideve
Pikërisht institucioni që duhet të garantojë sigurinë ushqimore të vendit! Madje, pretendojnë se nuk mund të marrin informacion nga laboratorët për shkak të “konfidencialitetit”.
Por eksperti Sokol Abazi e hedh poshtë këtë justifikim: “Mjafton vetëm një urdhër prokurorie dhe ministria mund t’i identifikojë fare lehtë produktet që kanë këto ngarkesa dhe kompanitë që i tregtojnë.”
Historia e helmimit të qytetarëve shqiptarë nga neglizhenca institucionale nuk është e re. Në dhjetor 2024, Sistemi Europian i Sigurisë Ushqimore (RASFF) ngriti alarmin për mandarinat shqiptare të kontaminuara. Nga 924 kamionë eksporti, çdo ngarkesë e kontrolluar nga BE rezultoi e infektuar me pesticide, ndërsa AKU “kontrolloi” vetëm 28 mostra në 1000 hektarë.
Skandali i fundit i mandarinave zbuloi një rrjet të tërë korrupsioni, ku Fatlli Adilaj, drejtori i AKU Berat, gënjeu publikun se produktet e helmuara ishin asgjësuar, ndërsa në realitet ato përfunduan në tryezat e konsumatorëve. Bashkë me të u arrestuan fermeri Elton Tafa, grumbulluesi Arben Dyli dhe inspektori Elson Tahiraj.
“Gogoli i të gjithëve”, siç e quan Abazi, është “Clorpirifosi, pasi ka besoj 3-4 vite që është ndaluar dhe akoma mbeturinat që gjenden kudo në vende jo shumë të zhvilluara të Europës. Klorpirifosi, metilin, cikloate, dikofenol, dieldrin… Diel Drina është përdorur që në kohën e Enverit dhe përsëri gjendet akoma këtu.”
Një zinxhir helmimesh po shtrihet në të gjithë vendin: “Coca-Cola” zhduku 1.8 milion litra pije të skaduara pa asnjë mbikëqyrje, duke shkelur çdo procedurë ligjore.
Në KFC, AKU gjeti salmonelë në mishin e pulës. Por nga 1,535 kg mish i kontaminuar, vetëm 177 kg u gjetën dhe u asgjësuan.
Skandali i akulloreve – 13.2 ton produkte të kontaminuara me oksid etileni, një substancë që shkakton kancer, leucemi dhe dëmton aftësinë riprodhuese tek meshkujt.
Qumësht dhe dhallë e prishur nga “Lufra” mbërritën në tavolinat tona. Minjtë u filmuan mbi thasët e miellit të “Diamond”, ndërsa AKU qëndronte në heshtje totale.
Thirrja për SPAK-un është e qartë: Duhet një hetim i plotë për të zbuluar zinxhirin e korrupsionit që po lejon helmimin sistematik të popullatës. Përgjegjësit, nga fermeri tek zyrtari i lartë, duhen ndjekur penalisht me akuzat më të rënda të parashikuara nga Kodi Penal.
Urgjente është dhe thirrja për institucionet shtetërore: Çdo ditë vonesë në marrjen e masave do të thotë më shumë qytetarë të ekspozuar ndaj helmeve vdekjeprurëse! Nënat shtatzëna dhe fëmijët tanë nuk mund të vazhdojnë të jenë kavie eksperimentale për pesticidet që Europa i ka ndaluar prej vitesh!
Ky është një krim i organizuar kundër shëndetit publik që kërkon veprim të menjëhershëm!
/gazetareforma.com