“The Albanian Files”, Libri nga i cili Rama po distancohet: gjurma politike që nuk fshihet dot

Edi Rama mund të mohojë autorësinë formale të “The Albanian Files”, por e ka shumë më të vështirë të mohojë autorësinë politike të modelit që libri paraqet.
Problemi nuk është nëse kryeministri ka shkruar çdo faqe apo çdo rresht të këtij botimi. Problemi është se libri mban gjurmën e një mënyre qeverisjeje që prej më shumë se një dekade është ndërtuar rreth imazhit, arkitekturës, projekteve të mëdha dhe transformimit të territorit në vizion politik.
Rama mund ta paraqesë librin si një projekt të pavarur, si botim studiosh ndërkombëtare, si katalog arkitekture apo si nismë që nuk lidhet drejtpërdrejt me qeverinë. Por për një kryeministër që e ka shitur pushtetin e tij edhe si projekt estetik, kjo distancë tingëllon e vështirë për t’u besuar.
Ky është njeriu që ka folur për qytetet si pikturë, për fasadat si transformim, për sheshet si vizion, për kullat si modernizim, për bregdetin si projekt kombëtar dhe për arkitektët e huaj si vulë të një Shqipërie të re. Prandaj, kur del një libër që përmbledh qindra projekte, vizione, resorte, ndërhyrje arkitekturore dhe ide për territorin shqiptar, Rama nuk mund të sillet sikur është thjesht një lexues i rastësishëm.
Aq më tepër kur vetë rrëfimet e arkitektëve në libër e vendosin kryeministrin në qendër të kontakteve. Në disa prej tyre përmenden formula si “mora një telefon nga Kryeministri”, “mora një email nga Kryeministri”, apo “isha lidhur me Kryeministrin nëpërmjet një miku”. Këto nuk janë detaje anësore. Ato ngrenë një pyetje të drejtpërdrejtë: në çfarë vendi normal kryeministri shërben si nyje lidhëse mes arkitektëve dhe projekteve private, ndërsa më pas institucionet që ai drejton apo kontrollon miratojnë vendime për të njëjtat projekte?
Rama mund të përpiqet ta relativizojë librin dhe ta trajtojë si një produkt kulturor të shkëputur nga vendimmarrja politike. Por vetë përmbajtja e bën këtë distancë të vështirë. Libri e paraqet kryeministrin si figurë qendrore në një rrjet ku takohen institucionet, arkitektët e huaj, zhvilluesit privatë, projektet turistike dhe vendimmarrja publike mbi territorin.
Në këtë pikë, “The Albanian Files” nuk është më thjesht album arkitekture. Ai kthehet në një indeks politik të Shqipërisë së projektuar gjatë qeverisjes së Ramës.
Dhe në këtë indeks duhet të dalin emrat, jo si etiketime të përgjithshme, por si tabelë llogaridhënieje. Nëse në libër shfaqen studio ndërkombëtare, ato duhet të lidhen me projektet konkrete. Nëse shfaqen zhvillues vendas, duhet të tregohet kompania, pronësia dhe përfitimi. Nëse pas një kompanie qëndron një emër tjetër, kjo duhet të dokumentohet përmes QKB-së, vendimeve publike, kontratave, lejeve dhe raportimeve investigative.
Emrat e biznesmenëve të mëdhenj nuk mund të hidhen në ajër pa dokumente, por as nuk mund të fshihen pas termit të përgjithshëm “oligarkë”. Nëse një projekt lidhet me Samir Manen, me Shefqet Kastratin, me grupe ndërtimi, kompani turistike, zhvillues të bregdetit apo struktura me pronarë të ndërmjetëm, publiku ka të drejtë të shohë zinxhirin e plotë: projektin, kompaninë, vendimin, pronarin dhe përfitimin.
Pikërisht këtu hyn edhe përgjegjësia institucionale. Nëse projektet e paraqitura në “The Albanian Files” përputhen me vendimmarrje publike, me leje ndërtimi, me ndryshime ligjore, me vendime të KKT-së apo me favorizim të investitorëve të caktuar, atëherë kjo nuk është më çështje estetike. Është çështje që kërkon verifikim mbi bazën e dokumenteve dhe ligjit.
SPAK duhet të shohë nëse pas këtij modeli ka pasur mekanizma favorizimi, ndikim politik, përzgjedhje të privilegjuar, përdorim të institucioneve publike për interesa private apo lidhje mes pushtetit, arkitekturës dhe biznesit të madh.
Rama mund të mohojë librin si autorësi formale. Mund të thotë se nuk është autori, botuesi apo përgjegjësi i drejtpërdrejtë i çdo projekti që përmendet aty. Por ajo që nuk mund të mohojë lehtë është autorësia politike e modelit që libri përmbledh.
Sepse “The Albanian Files” nuk flet vetëm për arkitekturë. Flet për mënyrën se si Shqipëria është projektuar, miratuar dhe shpërndarë si territor pushteti.
Kjo është arsyeja pse Rama ka shumë arsye të shqetësohet nga ky libër.