Lili Sula, studiuese dhe pedagoge në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë u shpreh përmes një postimi në Facebook se provimi në lëndën e Letërsisë dhe Gjuhës shqipe ishte një fyerje për maturantët dhe se iu deshën 30 minuta vetëm për të kuptuar pyetjet. Ajo gjithashtu tha se ky provim i ngjalli urrejtje për artin e fjalës.
Postimi i plotë në Facebook:
“Maturantët tanë u testuan në provimin e Gjuhës shqipe e të Letërsisë përmes një testi skandaloz, plot probleme në rrafsh konceptual shkencor, metodik e jashtë përmbajtjes lëndore. M’u desh thuajse 30 minuta të kuptoja testin e nuk më doli koha të zgjedh alternativat, për të cilat, për një pjesë syresh, po pres me drojë të publikohet çelësi, ndoshta edhe më jep të drejtë … Fyerje e madhe për të gjithë maturantët që kanë lexuar veprat letrare e kanë mësuar këto dy lëndë; fyerje e nëpërkëmbje për mësuesit, që i janë përkushtuar mësimidhënies gjatë viteve të arsimit të mesëm të lartë dhe dje, pas provimit, ishin në pozitë të vështirë e nuk dinin t’i përgjigjeshin pyetjeve të maturantëve për saktësinë e alternativave. Testi i djeshëm i Gjuhës shqipe dhe Letërsisë, për më shumë se 32 mijë maturantë u ngjalli atyre ndjesinë e urrejtjes për artin e fjalës, si dhe u zbehu dëshirën për të lexuar letërsi, sepse, tek e fundit, të nxënit e saj në tri vite shkollore nuk pati asnjë vlerë. Hartimi i testit për kurrikulën, që formon identitetin kombëtar te të rinjtë e që e hodhi maturantin/en në qendër të grackës ishte promovimi më i mirë që iu bë distancimit të të rinjve ndaj leximit, si dhe thirrje e hapur për të mos studiuar e jetuar në Shqipëri.”
Ndërkohë ditën e djeshme maturantët protestuan para Ministrisë së Arsimit ku kërkuan uljen e peshës së këtij provimi në llogaritjen për në universitet.