Tërmeti dhe koronavirusi do të rrisin varfërinë, ja kur pritet të rimëkëmbet ekonomia shqiptare
Ekonomia shqiptare pritet të goditet rëndë nga koronavirusi.
Banka Botërore parashikon se ekonomia shqiptare pritet të pësojë rënie që do të vijë si pasojë e pezullimit të lëvizjes dhe ndërprerjes së aktivitetit ekonomik normal të ndërmarrjeve.
Sipas Bankës Botërore, goditjen e parë ekonomia shqiptare e mori në nëntor që pas tërmetit.
Llogaritet se dëmet e shkaktuara nga tërmeti janë të barabarta me 7.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Banka Botërore sqaron se ndërtimi i objekteve të dëmtuara nga tërmeti dhe rimëkëmbja e energjisë elektrike, do të plotësojnë pjesërisht hendekun e krijuar nga pandemia.
Gjithashtu parashikohet që turizmi dhe transporti të pësojnë shok financiar.
Zgjatja e epidemisë në Evropë do të ndikojë negativisht në tregtinë e jashtme, prurjen e investimeve të huaja dhe remitancat.
Kthesa pozitive pritet të vijë në 3 mujorin e katërt, në rast se pandemia vihet në kontroll brenda 3 mujorit të dytë.
Pritet që rindërtimi dhe rimëkëmbja e turizmit t’i japin shtysë aktivitetit ekonomik të vendit, ndërsa likuiditeti i konsiderueshëm në sektorin bankar, largon frikën e rrezikut për financime.
Banka Botërore vlerëson se në vitin 2021, ekonomia shqiptare do t’i rikthehet trendit pozitiv me një nivel 6.6%.