Skip to content
Aktualitet

Tërhiqet Bashkia e Tiranës, nga 1 korriku rikthehet aboneja e përgjithshme

· 2 min lexim

Bashkia e Tiranës do të rikthejë në treg abonetë e përgjithshme për qytetarët që përdorin transportin publik në kryeqytet. Abonetë do të rikthehen që nga data 1 korrik, pasi u pezulluan për një muaj.

Këshilli Bashkiak i Tiranës e miratoi sot vendimin, duke qenë se Drejtoria e Transportit e Trafikut Rrugor e realizoi brenda muajit qershor procesin e mbledhjes së të dhënave për shërbimin e transportit qytetës. Sipas Bashkisë, procesi do të shërbejë për kryerjen e një analize studimore që do të ndihmojë që të përmirësohet cilësia e shërbimit për qytetarët

Fillimisht Bashkia e Tiranës planifikoi ta hiqte abonenë e përgjithshme për 3 muaj me pretendimin se do të riorganizonte itineraret, frekuencat e lëvizjes dhe kushtet e shërbimit të transportit publik, por për këtë duhet të studioheshin paraprakisht volumet e udhëtimit.

Por ky vendim nuk u prit aspak mirë nga qytetarët e Tiranës të cilët reaguan duke kërkuar rikthimin e aboneve.  Fillimisht më shumë se 11 mijë firma që kërkonin rikthimin e aboneve të përgjithshme u mblodhën në peticionin e ndërmarrë nga Organizata Politike. Pak ditë më parë një protest u mbajt para Bashkisë së Tiranës, ku qyetarët shprehën indinjatën e tyre për heqjen e aboeneve. Me sa duket, organizimi dhe rezistenca e tyre pati ndikim, pasi prej muajit tjetër aboentë do të rikthehen.