Tentuan t’i korruptonin me lekë në mes të letrave, shoferët e pësojnë keq nga policia

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Policia Rrugore e Tiranës ka ndaluar ditën e sotme dy drejtues mjetesh që kanë tentuar t’u japin rryshfet policëve rrugorë për t’i shpëtuar një gjobe të mundshme.

Drejtuesit e mjeteve i kanë futur paratë në mes të letrave, por policët nuk e kanë pranuar aspak këtë shkelje të ligjit.

Ata kanë njoftuar të tjerë policë, ku kanë deklaruar edhe tentativën për korrupsion nga ana e drejtuesve të mjeteve.

Njoftimi i policisë:

Policia bën të ditur se në funksion të patrullimeve me përzgjedhje, rrugorët e kryeqytetit kanë ndaluar në rrugën “Jordan Misja” drejtuesin e mjetit me iniciale H. K., 43 vjeç, i cili po drejtonte mjetin pa vendosur rripin e sigurisë dhe gjatë kontrollit policor, me qëllim shmangien e penalizimit, i ka ofruar agjentit verifikues një shumë lekësh.

Gjithashtu te sheshi “Karl Topia” është ndaluar drejtuesi i mjetit me iniciale K. C., 24 vjeç, i cili është konstatuar se nuk u jep përparësi këmbësorëve, drejtonte mjetin pa vendosur rripin e sigurisë, nuk kishte regjistruar ndryshimet e pronësisë në afat, dhe me qëllim shmangien e penalizimit, i ka ofruar agjentit verifikues një shumë lekësh.

Në të dy rastet efektivët e Policisë Rrugore kanë bërë arrestimin e dy drejtuesve të mjeteve në kushtet e flagrancës, për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, gjithashtu janë bërë procedurat administrative për kundravajtjet e konstatuara.

Shpërndaje
Share.

Komento