Prisni pak! Ministria e Turizmit po punon për këtë kompani private?

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Pikërisht atëherë kur ti mendon se Shqipëria dalëngadalë po e humb statusin e “vendit të çudirave”, diçka ndodh që të bën t’i mendosh gjërat dhe njëherë nga e para. Bëma e fundit i takon konkretisht Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, që ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë vit ka lançuar projektin “Smile Albania” në të cilin 500 të rinj punësohen përgjatë sezonit veror në kuadër të një fushate për mbrojtjen dhe promovimin e turizmit shqiptar, që konsiston dhe në pritjen e turistëve të huaj në pika kyçe si aeroporti i Rinasit, porte e pika kufitare.

Deri këtu, gjithçka mirë:  Impakti i parë i turistëve me Shqipërinë është më miqësor, të rinj e të reja të punësuar, shtohet përkujdesja ndaj mjedisit… shumë bukur. Por këtë e thua derisa zbulon se në fakt nga një projekt që i shërben turizmit vendas, “Smile Albania” është kthyer në një projekt që i shërben një biznesi privat.

Burime për “gazetareforma.com” kanë bërë të ditur se turistëve që kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit përgjatë ditëve të fundit u janë shpërndarë nga të rinjtë e “Smile Albania” fletëpalosje që promovojnë kompleksin rezidencial “Green Coast”, pjesë e kompanisë “Balfin Group”, në pronësi të biznesmenit Samir Mane.

“Kjo rezidencë është shtetërore?”-ka pyetur me të drejtë Alfonso, një turist i ardhur nga Italia, duke mbajtur në dorë fletëpalosjet me logon e “Smile Albania” dhe me imazhin e kompleksit të vilave në pjesën e pasme.

Pra, thënë shkurtimisht, projekti i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, i promovuar nga qeveria dhe nga vetë ministri Blendi Klosi, i është vënë në shërbim një biznesi privat më vlerë miliona dollarëshe dhe na lini t’ju themi se është një strategji marketingu për t’u duartrokitur.

Sikur të mos bëhej fjalë për një rast të pastër të një afere korruptive ku shpërfaqet qartazi biznesmeni i llojit “oligark” për të cilin mediat na “lodhin veshët” prej vitesh, duhet thënë se gjetja për të shpërndarë në kurriz të shtetit dhe qytetarëve shqiptarë fletëpalsoje për promovimin e një rezidence vilash në pikat më të rëndësishme të mbërritjes së turistëve në vend është ekselente.

Nëse po pyesni veten për “kurrizin e qytetarëve shqiptarë”, ndoshta duhet gjithashtu të dini se secili prej këtyre 500 të rinjve të punësuar paguhet me 30.000 lek në muaj që, gjejeni pakëz… dalin nga taksat që ne  i paguajmë shtetit dhe që shteti mesa duket vendos t’i shpenzojë për marketingun e një kompanie private.

Madje nëse dikush në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit do të denjonte të ngrinte telefonin apo të lexonte ndonjë email, ne të “gazetareforma.com” do t’i bënim të ditur se ne gjithashtu do të dëshironim të shpërndanim disa fletëpalosje nëpërmjet projekteve të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Fundja siç e thamë, është një metodë e shkëlqyer marketingu.

Shpërndaje
Share.

Komento