Astrit Sinanaj, personi që vendosi tritol poshtë makinës së biznesmenit Fuad Verzivolli, pronarit të klub Havanës, është dënuar me 25 vite burg. Astrit Sinanaj, i arrestuar në Vlorë më 6 qershor 2019, është kushëriri i vrasësit me pagesë Julian Sinanaj.
Asokohe 43-vjeçari fshihej në Vlorë, por policia e lokalizoi dhe e arrestoi në rrugën “Janaq Kilica”, për dy ngjarje kriminale në Elbasan, të kryera në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë Thanas Thoma dhe Gentian Kllogjri nga Elbasani, në dëm të biznesmenit Fuad Verzivolli, i cili disponon “Club Havana” në këtë qytet.
Vendimi është marrë ditën e sotme nga Gjykata e Elbasanit, e cila e ka shpallur fajtor Sinanajn për katër akuza “Vrasje me dashje e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Mbajtjes pa lejë të armëve shpërthyese”, “Shkatërrimit të pronës me eksploziv” dhe “Largimit i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Prokuroria kishte kërkuar 30 vite burgim për Astrit Sinanaj, por gjykata vendosi 25 vite. Bashkë me Sinanaj, u dënua me 10 muaj burg edhe shoku i tij Thanas Thoma, pasi u deklarua fajtor për ‘moskallëzim krimi’.
Astrit Sinanaj, 42 vjeç, banues në Tiranë, u vu në pranga më 6 qershor të një viti më parë në qytetin e Vlorës. Ai u arrestua nga policia në rrugën “Janaq Kilica”, për dy ngjarje kriminale në Elbasan, të kryera në bashkëpunim dhe ishte shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës së Apelit në Durrës.
Në datën 6 maj të vitit 2017, Astrit Sinanaj i vendosi 1 kg tritol të llojit C4, poshtë makinës së biznesmenit Fuad Verzivolli. Lënda plasëse u konstatus dhe u shpërthye në mënyrë të kontrolluar nga forcat xheniere, por Sinanaj nuk u dorëzua.
Më 22 maj, të po të njëjtit vit, ai vendosi një sasi tjetër tritoli në ambjentet e jashtme të biznesit të Verzivollit, “Club Havana” në Elbasan.
Edhe këtë herë atentati dështoi, por Sinanaj, Thanas Thoma dhe Gentian Kllogjri u vunë në pranga. Për çështje verifikimesh, ata u liruan pas 40 ditësh nga Gjykata e Shkalëls së Parë në Elbasan, por Gjykata e Apelit në Durrës e kundërshtoi këtë masë.
Apeli kërkoi kthimin në burg të Sinanajt, por tashmë ishte shumë vonë. 42-vjeçari nuk u gjet në banesë kur efektivët shkuan ta arrestonin. Pas dy vitesh ai u arrit të arrestohej dhe sot ka marrë dënimin.