Tenderi i dyshimtë/ COVID nëpër këmbë por… Ogerta ‘qëras’ me 600 mln “AGI Kons’ të Gentjan Sulës

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ministria e Shëndetësisë dhe vet ministrja Ogerta Manastirliu, me gjithë emergjencën e COVID-19, vazhdon të japë tenderë në nivele prej qindra milionë lekësh, ndaj oligarkëve dhe miqve të Rilindjes.

Më konkretisht bëhet fjalë për një tender me numër reference: “REF-67482-07-31-2020” dhe me objekt: “Rikonstruksion i godinave të Maternitetit Mbretëresha Geraldinë dhe ndërtim i ri 3 kat Tiranë”.

Këtë tender rezulton se e ka fituar njëri prej “miqve” më të preferuar të “Rilindjes”, biznesmeni i shumëpërfolur kohët e fundit Gentjan Sula, i kompanisë “AGI KONS”.

Ndonëse “me letra” pronar rezulton vëllai i tij, Elvis Sula, “de facto” pronar i vërtetë sipas raportimeve në media, është pikërisht Gentiani.

Ky i fundit bashkë me kompaninë e tij njihet si personi i cili ka ndërtuar edhe rezidencat “Kodra e Diellit”. Por jo vetëm kaq, emri i “AGI KONS” u lakua së tepërmi edhe për rastin e rikonstruksionit të parkut “Rinia” në Tiranë, për të cilin u harxhuan rreth një miliardë lekë të vjetra.

Paradoksi qëndronte se vetëm pak ditë pas inaugurimit, me vetëm pak minuta shi, parku “Rinia” u përmbyt i gjithi dhe fotot e tij bënë xhiron e rrjetit.

Deri më sot rezulton se kjo kompani ka përfituar nga institucionet shtetërore tenderë në një vlerë marramendëse prej rreth 17 milionë eurosh në 7 vitet e fundit.

Por pikërisht këtyre milionave, Ogerta Manastirliu ka vendosur t’i shtojë edhe rreth 600 milionë lekë të vjetra të tjera për rikonstruksion në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”.

Është paradoksale të mendosh se si Ogerta Manastirliu i lejon vetes të paguajë “AGI KONS” me gati 600 milionë lekë të vjetra për tulla e llaç, dhe nga ana tjetër lë shqiptarët të vdesin në shkallët e spitaleve për shkak të sorollatjes.

Lidhjet e “AgiKons” me “Rilindjen”

Dosja e kompanisë së ndërtimit “AGI KONS”, është e tej-mbushur me miliarda lekë, nga tenderët e koncesioneve të ndërtimit dhe shërbimesh publike, dhënë nga pushteti qendror e lokal majtas-djathtas.

Sipas të dhënave zyrtare, rezulton se kompania “AGI KONS” e çiftit Sula, vetëm nga Ministria e Kulturës dhe pushteti lokal në Tiranë, ka marrë 13 miliardë lekë në dy vite, me 52 tendera ndërtimi e shërbimesh, me prokurim pa njoftim paraprak dhe pa garë, për gjoja “emergjenca”.

Pas denoncimeve të shumta në media, 5 muaj pas emërimit të saj në krye të autoritetit të “Hapjes së dosjeve”, Gentiana bashkëshortja e biznesmenit Gntian Sula, dhe vetë ky i fundit, vendosën që në datën 29.03.2017, të bëjnë shitjen fiktive të 3.8 milionë euro të komapnisë, tek familjari i tyre Elvis Sula.

Shkëputja e tyre nga biznesi “AGI KONS” është bërë vetëm në letra, për gjoja “konflikt interesi”, por tenderët e koncesionet me fonde shtetërore, po vazhdojnë, madje janë shtuar 20% si numër, e 40% si vlerë, pa llogaritur “bizneset” me dosjet e zeza të ish-spiunëve, që janë akoma në pushtet, politikë, diplomaci, bashki, ushtri e polici dhe i kap ligji hapjes së dosjeve.

Edhe diçka tjetër…

Kompania “AGI Kons” ka në pronësi të saj rezidencën “Kodra e Diellit 2”, pikërisht ku banojnë shumë politikanë, gazetarë, VIP-a të artit etj., që kanë blerë shtëpinë te kompleksi i Gentian Sulës.

Në këtë rezistencë, e përbërë nga blloqe shtëpish luksoze, të rrethuara me një mur të jashtëm dhe të mbrojtura me roje private, janë të gjitha shërbimet ndryshe nga pjesët e tjera të qytetit.

Në lidhje me këtë skandal, gazetari investigativ, Kastriot Myftaraj, ka bërë dikur një emision, ku tregon atë që ai e cilëson si “vëllazërinë” midis politikanëve majtas e djathtas dhe oligarkut, Gentian Sula.

Sipas gazetarit, nëse OFL-ja e shumë-trumpetuar do të shkonte në këtë kompleks residencial shumë prej politikanëve dhe VIP-ave as që do të ishin në gjendje që të justifikonin luksin e tyre.

/GazetaReforma.com/

Shpërndaje
Share.

Komento