Tenderët zgjedhorë/ Anulohen rrugët e domosdoshme: Mbikalimi TEG, lidhja e Morinë-Aeroport. Ja ku shkojnë miliardat…

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Disa pika të rëndësishme infrastrukturore në derisa zona të vendit janë lënë jashtë vëmendjes së investimeve, edhe pse janë nevralgjike dhe mjaftë të domosdoshme për trafikun.

Ato janë spostuar nga vëmendja e investimeve për vitin e ardhshëm, pikërisht për t’ua lënë vendin investimeve që duket se do t’i përfitojnë kompanitë e preferuara dhe të lidhura me qeverinë.

“Gazeta Reforma” ka mësuar se, disa prej këtyre pikave që ishin ose by-pase, ose rrugë lidhëse të domosdoshme kanë dalë nga lista e financimeve, edhe pse në muajin e fundit ishin tenderuar, pikërisht për t’u krijuar hapësirë kalimit të fondeve tek PPP-të e kompanive të mëdha që i kanë hapur prej disa vitesh punët por nuk po i finalizojnë dot.

Referuar të dhënave të sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik, e para procedurë e pezulluar është ajo për “Ndërtim Rruga mbikalimi TEG dhe rrugët lidhëse të tij”, me fond limit rreth 1.5 miliardë lekë, ndërkohë është pezulluar edhe procedura tjetër e lidhur me këtë tender, që është ajo e mbikëqyrjes.

Me një fond limit 11.6 milionë lekë, procedura me objekt “Supervizion punimesh, Ndërtim rruga mbikalimi TEG dhe rrugët lidhëse te tij” e çelur në 15 tetor, është pezulluar.

E pezulluar rezulton edhe procedura tjetër e çelur në datë 15 tetor, e cila ka në objekt “Ndërtim i rrugës, lidhja e Autostradës Milot-Morinë me Aeroportin e Kukësit”, me një fond limit rreth 600 milionë lekë.

Tenderimet e ARRSH

Një valë prokurimesh për ndërtim rrugësh të reja u hap në mes të tetorit nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).

Janë projekte me fonde limit, qindra milionë lekë, apo edhe mbi 1 miliard, por duket se nuk do arrijnë të finalizohen. ARRSH me nxitimin që pati për t’i shpallur, ka pezulluar disa prej tyre, pa dhënë arsye publike.

Në listën e tenderëve të pezulluar është edhe ajo me objekt “Supervizion Punimesh Ndërtim rruga Korçë-Ersekë, Loti 2 (pjesa e parë)”. Pezullimi i saj vjen në një kohë kur në fakt, procedura tjetër e lidhur me të që është ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë Loti 2 (pjesa e parë) me një fond limit rreth 2.4 miliardë lekë dhe e fituar nga kompania “ANK”, me ofertë 2.35 miliardë lekë ka përfunduar hallkat e saj dhe duhet të nisë zbatimin.

Zbatimi i kontratës nuk mund të bëhet pa pasur të përfunduar edhe pjesën e mbikëqyrjes që aktualisht mbetet e pezulluar.

PPP-të nuk ndërpriten

“Gazeta Reforma” ka mësuar se e vetmja rrugë që në sistem vazhdon të jetë aktive nga tenderët e fundit, me vlerë të madhe të shpallur në tetor, është ajo Palasë-Dhërmi, me fond limit 1.6 miliardë lekë. Kjo procedurë u shpall në 22 tetor 2020 dhe është një PPP.

Pezullimi i një pjese të procedurave të prokurimit të shpallura në datë 15 tetor apo më pas mund të lidhet me disiplinimin që është kërkuar më herët në një vendim të qeverisë për angazhimet buxhetore, ku thuhet se, pas datës 15 tetor të çdo viti buxhetor, njësitë e qeverisjes së përgjithshme nuk mund të publikojnë njoftimin për prokurimin e mallrave/punëve/shërbimeve, të cilat nuk janë përfshirë në regjistrin e prokurimeve publike, deri në këtë datë.

Pas datës 15 tetor, sipas këtij vendimi procedurat e prokurimeve publike, të parashikuara në regjistrin e prokurimeve publike, mund të fillojnë/vazhdojnë vetëm për ato projekte që janë pjesë e buxhetit trevjeçar, të miratuar për njësinë përkatëse të qeverisjes së përgjithshme.

Lidhja e kontratës në këtë rast bëhet vetëm pasi fondi të jetë vënë në dispozicion në llogarinë e autoritetit kontraktor, në buxhetin e tij, të miratuar për vitin buxhetor pasardhës.

Parashikimet në buxhet

Për 9-mujorin 2020, të ardhurat në buxhet shënuan një rënie prej 10.5% në krahasim me faktin e 2019-s, në krahasim me -3% që ishte pritshmëria në buxhetin e rishikuar. Si rrjedhojë e performancës më të ulët të të ardhurave, financat u detyruan të shpenzojnë më pak sesa parashikohej, në mënyrë që të mbajnë nën kontroll parametrat e deficitit. S

i rrjedhojë, shpenzimet në total ishin gati 8% më të ulëta se plani dhe ato kapitale gati 9% më pak se plani përkatës, ose 4.5 miliardë lekë më pak.

Hapja e disa kantiereve në projekte të ndryshëm do të përkufizojë edhe vitin elektoral 2021, sa u takon shpenzimeve kapitale, të cilat janë parashikuar mbi 120 miliardë lekë, apo rreth 1 miliard euro.

Vlera e konsiderueshme e tyre lidhet me procesin e rindërtimit, pasi edhe fondi për të është përfshirë në zërin e shpenzimeve kapitale.

Pavarësisht kësaj, edhe zhveshur nga efekti i rindërtimit, shpenzimet kapitale mbeten relativisht të larta duke sjellë një risk potencial për mosrealizim të tyre, po të kemi parasysh që ecuria e ekonomisë do të kufizohet nga situata e krijuar nga COVID-19 dhe ku mosrealizimi i të ardhurave është risk i mundshëm.

Edhe buxheti 2021 mbetet pesimist në kahun e të ardhurave, që parashikohen të arrijnë në një nivel rekord prej 28.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, çka në kahun tjetër  mundëson planifikimin e më shumë shpenzimeve.

Ekspertët kanë paralajmëruar shpesh për rrezikun e kësaj sjelljeje, pasi po merren angazhime përtej aftësive reale paguese të buxhetit, duke çuar në rritjen e detyrimeve të prapambetura dhe të borxhit të fshehtë.

/GazetaReforma.com/

 

Shpërndaje
Share.

Komento