Të premten mblidhet Komisioni Hetimor për Metën, do të merret në pyetje edhe Dvorani

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta do të mblidhet këtë të premte dhe seanca pritet të fillojë rreth orës 13:00.

Pjesë e seancës do të jetë edhe kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.

Dvorani është kallëzuar nga Meta në SPAK për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore.

Sipas presidentit, kreu i KED ka shkelur Kushtetutën, duke manipuluar listat me emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Meta e ka quajtur këtë veprim të Dvoranit, “grusht shteti” dhe ka paralajmëruar një tubim në datën 2 mars.

Thirrjes së tij, i janë përgjigjur pozitivisht Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Komisioni për shkarkimin e Metës ka nisur punën vitin e kaluar, pas dekretit të Metës për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Afatet për rezultatet përfundimtare u shtynë, pasi pjesë e procesit u bënë edhe veprimet e presidentit, për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, ku kundërshtoi dekretimin e të zgjedhurës së parlamentit, Arta Vorpsi.

Shpërndaje
Share.

Komento