Ka një moment kur pushteti nuk ka më nevojë të sulmojë shumë.
Mjafton të presë. Të presë që njerëzit të lodhen, të dyshojnë te njëri-tjetri dhe debati të kalojë nga çështja te personat.
Nga ligji te thashethemi. Nga vjedhja te mikrofoni. Nga Sazani e Zvërneci te “kush është i kujt”.
Ky është kurthi.
Sepse pushteti nuk do që protesta të flasë për ligjin 21/2024, zonat e mbrojtura, tokën publike, investimet strategjike, SPAK-un, zgjedhjet, administratën nën presion dhe përgjegjësinë politike.
Do që të flasim vetëm për njëri-tjetrin.
Kush foli. Kush gaboi. Kush marshoi. Kush u kthye. Kush është i shitur. Kush është tradhtar.
Kjo nuk do të thotë se protesta nuk ka probleme. Ka.
Duhet më shumë organizim, më shumë qartësi, më shumë përgjegjësi, më pak protagonizëm dhe më pak konfuzion. Por këto rregullohen.
Nuk janë arsye për të harruar pse dolëm.
Dolëm sepse Shqipëria po trajtohet si pronë private.
Dolëm sepse bregdeti po ndahet si plaçkë.
Dolëm sepse zonat e mbrojtura po hapen për interesa që më pas na shiten si “zhvillim”.
Dolëm sepse zgjedhjet nuk mund të quhen të lira kur rregullat janë qepur për kryetarët, paratë, mediat dhe administratën e frikësuar.
Dolëm sepse Rama dhe Berisha janë dy fytyra të një sistemi që e ka mbajtur vendin peng për 35 vjet.
Prandaj fokusi duhet të kthehet aty ku dhemb:
te ligji; te toka publike; te paratë; te SPAK; te zgjedhjet; te dorëheqja; te përgjegjësia e oligarkëve dhe politikanëve.
Kjo është biseda që pushteti nuk do.
Prandaj kjo është biseda që protesta duhet të imponojë.
Mikrofoni rregullohet. Marshimi diskutohet. Gabimet korrigjohen.
Por nëse humbim fokusin, humbim arsyen pse mijëra njerëz dolën në shesh. Mos ia jepni këtë dhuratë pushtetit.
Protesta vazhdon, jo për egon e askujt dhe jo për të nxjerrë një pronar të ri të sheshit.
Protesta vazhdon për t’i kujtuar pushtetit diçka që e ka harruar prej kohësh:
Shqipëria nuk është pronë private!







