Shiu i rrëmbyeshëm i një nate më parë ka shkaktuar përmbytje në Librazhd. Sipas raportimeve mësohet se uji ka vërshuar në rrugë, e si pasojë disa persona mbetën të bllokuar në automjetet e tyre.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, ku personat e bllokuar janë nxjerrë nga forcat zjarrfikëse që arritën në vendngjarje.
Stuhia solli edhe bllokimin e aksit nacional Elbasan-Librazhd, pasi në rrugë vërshuan gurët që u shkëputën nga shpati i malit.
Rruga është hapur rreth orës 3:00 të mëngjesit dhe fatmirësisht nuk pati të lënduar.