Ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë gati asnjë spital rajonal Covid-19, përkundrazi i ka shtyrë përgatitjet për vitin e ardhshëm. Kjo vërtetohet nga tabela e tenderave të Spitaleve dhe të Ministrisë së Shëndetësisë të kryera dhe atyre në proces (Burimi: Open Procurement Albania). Vetëm dy spitale rajonalë, Vlora dhe Dibra kanë bërë tender këtë fundviti, për të blerë artikuj për masa mbrojtëse personale për përballimin e situatës Covid-19 dhe vendosje emergjente gazra medikale për Covid 19.
Nëntë muaj pas shpalljes së pandemisë, Spitalet Rajonalë nuk kanë logjistikë për të funksionuar si Spitale Covid. Furnizimi me mjete, oksigjen, medikamente dhe pajisje specifike është i lidhur ngushtë me buxhetin e vitit 2021.
Për Spitalet Rajonale blerjet sapo kanë filluar dhe secila blerje ka të shënuar që kontrata do të buxhetohet me buxhetin e shtetit 2021.
Çfarë thotë Ministrja?
Ministrja e Shwndetwsisw, Ogerta Manastirliu si gjithmonw bwn deklarata jo reale për gjendjen e spitaleve. “Spitalet rajonale gjithashtu, janë të përgatitura dhe aty janë investuar në linja oksigjeni të dedikuara, aparatura, ndërkohë që janë trajnuar në vazhdimësi stafet. Skenarët tanë përfshijnë kapacitetet prej 1600 shtretërish në të gjithë sistemin për të përballuar këtë epidemi”, deklaroi ministrja e Shendetësise më 26 nëntor 2020. Kjo është dita kur u rihap spitali Covid 4. Ne e verifikuam sot dhe nw kwtw spital nuk ka asnjw pacient. Loja e qeverisë me spitalet është e tillë, që mban të shtruar vetëm një numër të ulët pacientësh për të mos kaluar tek skenarët A, B dhe C të strategjisë që është shpallur nga qeveria, kur duhen hapur spitalet rajonalë.
Është fakt se tek Infektivi dhe tek “Shefqeti Ndroqi” ka radhë dhe pacientët trajtohen në mënyrë ambulante. Duke e centralizuar gjithçka me numrin e telefonit 127 dhe me Urgjencën Kombëtare, trajtohen vetëm rastet më të rënda dhe pa e kaluar numrin 550 të shtruar. Mbrëmë, sipas komunikatës zyrtare ishin të shtruar 480 pacientë, ndërsa numri total aktiv i të infektuarve është 40 mijë e 500 persona. Nëse kalon numri 550 i pacientëve të shtruar, atëherë qeveria sipas strategjisë që ka shkruar vetë, duhet të hapë spitalet rajonalë. Ky objekt në foto është Spitali Covid 4, ditën e djeshme. Eshtë qetësi, nuk ka pacientë, megjithëse është inauguruar dy herë. E ruajnë dy ushtarë.
Me vullnetin e qeverisë, Covid nuk do të bëjë për spital më shumë se sa shtretër kanë spitalet në kryeqytet që qeveria të bëjë tendera nga janari e në vazhdim me buxhetin e 2021-shit.
Dokumenti
Sipas dokumentit ‘Strategjia e përgjigjes vjeshtë-dimër 2020-2021”, bazuar në ecurinë e epidemisë në vend, nëse do të jetë e nevojshme, do të aktivizohen strukturat e spitaleve rajonale për trajtimin e pacientëve me COVID 19. Në tabelën e mëposhtme paraqiten tre skenarët e përdorimit të shtretërve spitalorë rajonalë, vetëm atëherë pasi të jenë plotësuar kapacitetet e strukturave të dedikuara për trajtimin e pacientëve me COVID-19 (~550 shtretër) që kanë nevojë për hospitalizim:
Në Skenarin A, kapaciteti i pesë (5) spitaleve rajonale siç janë, spitali rajonal Durrës, spitali rajonal Elbasan, spitali rajonal Korçë, spitali rajonal Shkodër, spitali rajonal Fier, është përllogaritur të jetë me shfrytëzim shtrati në shërbimin me shtretër (pavijon) dhe në shërbimin e sub-intensiv dhe intensiv me përshkallëzim të përqindjes së shfrytëzimit të shtratit.
Në Skenarin B, shfrytëzimi i kapaciteteve të tre spitaleve rajonale: spitali rajonal Berat, spitali rajonal Lezhë, spitali rajonal Vlorë. Në Skenarin C, shfrytëzimi i kapaciteteve të tre spitaleve rajonale siç janë spitali rajonal Gjirokastër, spitali rajonal Kukës, spitali rajonal Dibër, procesi i shfrytëzimit të shtretërve spitalorë rajonalë do të fillojë në momentin e plotësimit të kapaciteteve të përcaktuara në skenarin A dhe në Skenarin B, të dedikuar për trajtimin e rasteve të infektuar me COVID-1 dhe që kanë nevojë për hospitalizim.
Përgatitjet që duheshin kryer
Qeveria shqiptare ka alokuar 1 milard lekë mbështetje buxhetore për pajisjen me aparatura mjekësore, për sigurimin e pajisje si CT Scanner, rezonancë magnetike, eko, grafi fikse, autoambulanca, pajisje të reja biomjekësore, etj. Sipas strategjisë, kapacitetet imazherike do të përforcohen duke rritur përdorimin e:
– Përforcimit të spitaleve rajonale me pajisje imazherike sipas nevojave të tyre;
– Interpretimit të imazheve në kohë reale nga mjekët diagnostikues të spitaleve universitare duke përdorur sistemin e patronazhimit;
– Përdorimit të Telemedicinës së dedikuar COVID-19 në shërbimin infektiv të QSUT dhe aksesimi i saj nga profesionistët e spitaleve rajonale; Për sa i përket kapaciteteve për testimet laboratorike, gjatë periudhës vjeshtë-dimër 2020/2021 do të punohet për rritjen e kapaciteteve për të mundësuar:
– Ofrimin e panelit të analizave të nevojshme në sistemin spitalor rajonal në rast se do të presin pacientë COVID-19;
– Mundësimin e testimeve RT-PCR për COVID-19 edhe në struktura të tjera, qofshin këto spitalore apo jo.
Deri tani asnjë nga këto përgatitje nuk është kryer. Spitalet rajonalë mbeten për momentin vetëm në letrën e Strategjisë Kombëtare.
/GazetaReforma.com/