SPAK kërkon burg për deputetin Alqi Bllako, Majko dhe Bici në garë për t’u futur në Kuvend

Prokuroria Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë përmes një njoftimi zyrtar ka nxjerrë në dritë të tjera detaje nga urdhër-arrestet e lëshuara në lidhje me abuzimet me inceneratorët e Fierit dhe të Elbasanit.
SPAK ka kërkuar po ashtu do të paraqesë një kërkesë në Kuvend, për të bërë të mundur arrestimin më pas të deputetit të PS-së, Alqi Bllako, pasi për të është kërkuar masa ‘arrest me burg’.
Në rast se Komisioni i Mandateve vendos i hap rrugë organeve të drejtësisë, atëherë i hapet mundësia të tjerë kandidatëve të listës së 25 qershorit për qarkun e Tiranës.
Dy ndër kandidatët në pritje janë Pandeli Majko i listuar i nëntëmbëdhjeti me 8780 vota dhe Dallëndyshe Bici e listuar në numrin 21 me një sasi votash prej 4977.
Çfarë thotë Kodi Zgjedhor:
“Mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse, përveçse kur plotësimi i vakancës me kandidatin e radhës ul përfaqësimin e gjinisë së nënpërfaqësuar. Në këtë rast plotësimi i vakancës bëhet nga kandidati i parë në listë i gjinisë së nënpërfaqësuar pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk zbatohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar”