Skip to content
Politikë

Sot seanca plenare në Kuvend, çfarë pritet të diskutohet

· 2 min lexim

Kuvendi mban sot seancën e fundit plenare të kësaj legjislature, me një rend dite të ngjeshur që përfshin miratimin e një sërë projektligjesh dhe raportesh të rëndësishme.

Në krye të axhendës është miratimi i raportit vjetor të Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian për vitin 2024.

Në raport theksohet se KKIE vijon të jetë organi më i lartë këshillimor për çështjet e integrimit, si dhe një platformë gjithëpërfshirëse për të gjitha grupet e interesit.

Për vitin 2025, Këshilli do të përqendrojë punën në bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërpartiak, forcimin e rolit të shoqërisë civile në procesin e integrimit dhe monitorimin e zbatimit të rekomandimeve nga Komisioni Evropian dhe nënkomitetet BE–Shqipëri.

Po ashtu, Kuvendi do të shqyrtojë aktin normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2025, si dhe një sërë projektligjesh ndërkombëtare dhe të brendshme. Ndër to përfshihet aderimi i Shqipërisë në marrëveshjen rajonale për bashkëpunimin në kërkimin dhe shpëtimin ajror, të nënshkruar në Ohër më 22 shkurt 2023.

Në seancë do të diskutohet edhe ratifikimi i vendimit nr. 2/2024 të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë elektronike, si dhe projektligje që lidhen me çështje ekonomike, tregtare dhe të sigurisë kombëtare.

Ndër projektligjet që pritet të miratohen sot janë:
• Projektligji “Për rezervat materiale të shtetit”
• Projektligji “Për markat tregtare”
• Projektligji “Për patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë”
• Projektligji për ndryshime në ligjin “Për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”
• Projektligji “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”
• Projektligji “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit”
• Projektligji për ndryshimet në ligjin për investimet e huaja