Skip to content
Politikë

Soreca tregon detaje nga takimi me Celibashin: Autoritetet të hetojnë parregullsitë e zgjedhjeve

· 2 min lexim

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca ka dhënë detaje nga takimi me kreun e Komisionit Qendror të Zgejdhjeve, Ilrijan Celibashi.

Soreca shkruan në Twitter se është e rëndësishme të adresohen rekomandimet e OSBE ODIHR shumë përpara kohe. Ambasadori thotë se autoritetet kompetente duhet të hetojnë parregullsitë dhe pretendimet me zgjedhjet e fundit, ndërsa thekson se BE do të vijojë që të sigurojë mbështetjen e nevojshme për KQZ-në.

“Bisedë e mirë sot me Kryetarin e KQZ-së Ilirjan Celibashi dhe me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri Yuri Kim. Kryetari na informoi mbi vlerësimin përfundimtar të KQZ-së për procesin zgjedhor të 25 prillit, përfshirë çështjen e rëndësishme të identifikimit biometrik, dhe për planin e ardhshëm të KQZ-së në funksion të zgjedhjeve të ardhshme.

Është e rëndësishme të adresohen rekomandimet e OSBE ODIHR shumë përpara kohe. Të gjitha rekomandimet e ODIHR-it duhet të ndiqen nga të gjithë aktorët shqiptarë përgjegjës në kuadrin e një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse.
Parregullsitë dhe pretendimet në lidhje me zgjedhjet e fundit duhet të hetohen tërësisht nga autoritetet kompetente, siç theksohet në Raportin 2021 të Komisionit Evropian për Shqipërinë. BE do të vazhdojë të sigurojë mbështetjen e nevojshme për KQZ-në në funksionet e saj thelbësore”, shkruan Soreca.