Skip to content
Kryesore

“S’kam fol me Durim Bamin”- Altin Morina apelon masën e sigurisë

· 2 min lexim

Altin Morina, ish-trajneri i stërvitjes në Forcat RENEA dhe njëkohësisht një nga emrat më të njohur të këtij reparti, ka ankimuar në Apelin e GJKKO-së masën e sigurisë “arrest në burg”, dhënë nga shkalla e parë në kuadër të një dosjeje të rëndë të SPAK.

Morina akuzohet si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet për kultivim të kanabisit, në kuadër të operacionit të koduar “REVANSHI”. Ai u arrestua më 4 prill 2025 nga policia e Komisariatit Nr. 2 në Tiranë, pas disa javësh në kërkim.

Prokuroria e Posaçme e lidh përfshirjen e tij me disa komunikime të siguruara përmes aplikacionit të enkriptuar Sky ECC, ku dyshohet se ai kishte rol mbikëqyrës në aktivitetin e paligjshëm të grupit. Por mbrojtja e kundërshton këtë, duke theksuar se Morina nuk ka qenë posedues i një pajisjeje të tillë dhe se në dosje nuk ekziston asnjë bisedë direkte mes tij dhe Durim Bamit, një tjetër i dyshuar i përfshirë.

Sipas avokatit, emri i Morinës përmendet vetëm nga persona të tretë, gjë që nuk përbën provë konkrete për përfshirje.

SPAK ka përmbyllur hetimet për këtë dosje të gjerë që përfshin 7 grupe kriminale të dyshuara për trafik droge dhe aktivitete të tjera të paligjshme në disa qytete, mes tyre Tirana, Durrësi, Lezha, Vlora, Kruja dhe Burreli.

Janë lëshuar gjithsej 50 urdhër-arreste, nga të cilat një pjesë janë ekzekutuar brenda dhe jashtë vendit. Disa prej të dyshuarve ndodhen tashmë në paraburgim për akuza të tjera.