Skip to content
Të Gjitha

Situatë alarmante në prag të sezonit turistik, arrihet marrëveshja se ku do të depozitohen mbeturinat e Durrësit

· 2 min lexim

Disa ditë më parë në media qarkulluan foto nga qyteti i Durrësit, ku koshat e plehrave nuk “ishin prekur me dorë” nga punonjësit e bashkisë për shumë ditë me radhë.

Mbyllja e vend-depozitimit të Porto Romanos, solli që mbetjet e Bashkisë Durrës të dërgoheshin në Manzë për djegie.

Ditën e djeshme qyteti është pastruar, por këto mbeturina nuk janë depozituar asgjëkundi duke u bërë kështu një problematikë e madhe në një kohë që pritet të ringrihet sektori i turizmit në vend nga kriza ekonomike e pandemisë.

Por mesa duket, është arritur një marrëveshje për mbeturinat e qytetit të Durrësit, pas gjithë kaosit të krijuar ditët e fundit.

Kujtojmë këtu se jemi në pragun e sezonit turistik.

Sipas “AbcNews”, marrëveshja është dakordësuar mes bashkisë së Durrësit, qeverisë dhe drejtuesve të impiantit të përpunimit në Sharrë, për transportimin e mbetjeve drejt Sharrës pa pagesë për 4 muaj.

Depozitimi i mbetjeve në Sharrë kapte vlerën 29 euro/ton, dhe bashkia u përball me mungesën e fondeve për të dërguar dhe trajtuar mbetjet e saj në Sharrë.

Është mësuar se ditën e nesërme kryebashkiakja e Durrësit është thirrur në Kryeministri, ku do të takohet me kryeministrin Edi Rama.

Me rritjen e temperaturave, kjo situatë po kthehej në një problematikë serioze, e ndërkohë që Ministria e Mjedisit ende nuk ka dalë në ndonjë deklaratë të saj për këtë situatë alarmante.

Pak minuta më parë ka reaguar në “Twitter” edhe kryeministri Edi Rama, i cili shprehet se nuk  do të ketë hedhje plehrash në asnjë zonë të bashkisë në këtë fazë tranzicioni!

Sipas kryeministrit nuk duhet keqpërdorur, shqetësimi i durrsakëve për të nxitur shfaqjet e pakënaqësisë që ushqehet me lajme të rreme.

“Në vend që ta dizinformojnë publikun dhe të keqpërdorin shqetësimin qytetar, për audiencë dhe për të nxitur shfaqjet e pakënaqësisë që ushqehet me lajme të rreme, mediat duhet t’u thonë durrsakëve se s’do të ketë hedhje plehrash në asnjë zonë të bashkisë në këtë fazë tranzicioni!”, shkruan Rama.