Situata politike në Malin e Zi, Abazoviç: Nuk ka ndikim në marrëdhënien me Kosovën

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, tha të premten se ndryshimet politike në vendin e tij nuk do të ndikojnë në marrëdhëniet me Kosovën.
Ai i bëri këto komente në Prishtinë pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, në të cilin u nënshkrua marrëveshja për trafikun ajror në mes të dy vendeve që i hap rrugë përdorimit të korridoreve ajrore mes Kosovës dhe Malit të Zi, për aviacionin civil, ndërsa deri tani janë shfrytëzuar për fluturime ushtarake të NATO-s.
“Ky është një hap sa i rëndësishëm po aq i domosdoshëm për rregullimin e hapësirës ajrore mes dy republikave tona. Marrëveshja që nënshkruam sot ofron mundësi të reja të zhvillimit të aviacionit civil, mundëson shkurtimin e rrugëve ajrore e të kohës së fluturimit për 15 minuta. Zvogëlon emetimin e gazrave të dëmshme si dhe ul koston e fluturimeve të cilat ndikojnë në çmim të biletave për udhëtarët”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.