Skip to content
Kosovë

“Si një trup i vetëm me vëllezërit shqiptarë”, Mehaj: Vazhdojmë betejën me flakët deri në fund

· 2 min lexim

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka qenë në zonën e Kukësit për të parë nga afër operacionin për shuarjen e zjarreve në malin Shëmri në zonën e Tunelit të Kalimashit. Mehaj thotë se ka vizituar pjesëtarët e kontigjentit të FSK-së dhe zjarrfikësit nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave.

Ministri shprehet se dhimbjen për dëmet nga zjarri e mbisundonte ndjenja e krenarisë për ushtarakët e Kosovës dhe guximin e tyre. Mehaj konfirmoi edhe njëherë mbështetjen duke thënë se beteja me flakët do të vazhdojë deri në fund si një trup i vetëm me vëllezërit shqiptarë.

“Për të parë nga afër zhvillimin e operacionit në shuarjen e zjarrit në malin Shëmri, në zonën e Tunelit të Kalimashit, sot vizitova pjestarët e kontingjentit të FSK-së dhe pjestarët e kontingjentit të zjarrëfikësve nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave.

Dhembjen për dëmet e shkaktuara nga zjarri e mbisundonte ndjenja e krenarisë për ushtarakët tanë -heronj të vërtetë që me guxim, shpirt ekipi dhe shërbim vetmohues nderojnë emblemën tonë, Kombin dhe Atdheun.

Si një trup i vetëm, bashkë me vëllezërit dhe motrat tona të Shqipërisë, po vazhdojnë betejën me flakët deri në fund.

Së bashku më të fortë, në ditë të vështira me vëllezërit e motrat tona”,  shkruan Mehaj.