Skip to content
Kryesore

Shuhen zjarret në zonën naftëmbajtëse të Kuçovës

· 1 min lexim

Një zjarr i fuqishëm përfshiu paraditen e sotme një zonë me kallamishta në lagjet pranë puseve të naftës në qytetin e Kuçovës, duke shkaktuar panik mes banorëve.

Flakët shpërthyen në afërsi të një zone naftëmbajtëse, ku ndodhen disa puse aktivë, çka e rriti ndjeshëm rrezikun e përhapjes dhe përmasat e dëmit të mundshëm.

Menjëherë pas sinjalizimit, zjarrfikësit e Kuçovës ndërhynë në terren, ndërsa në ndihmë të tyre mbërritën edhe forcat zjarrfikëse të Beratit, pasi rreziku kërcënonte edhe banesat përreth.

Era e fortë dhe temperaturat e larta favorizuan përhapjen e zjarrit, i cili për më shumë se një orë përparoi me shpejtësi, duke vështirësuar ndërhyrjen.

Pas një përpjekjeje të gjatë, flakët u vu në kontroll dhe më pas u shuan plotësisht, pa shkaktuar dëme në banesa apo në puset e naftës.

Sipas autoriteteve, nga zjarri janë djegur rreth 2 hektarë me shkurre, ferra dhe kallamishte.

Aktualisht, zona vijon të mbahet nën monitorim për shkak të disa vatrave të nxehta ende aktive pranë puseve, në mënyrë që të shmanget rindezja e mundshme.