Skip to content
Kryesore

Shtyhet sërish gjyqi për ish-ministrin e Shëndetësisë, arsyeja

· 2 min lexim

GJKKO ka shtyrë për në datën 7 maj seancën gjyqësore për çështjen e koncesionit të sterilizimit, për shkak të mungesës së të pandehurit Ilir Beqaj dhe avokatit të tij, Ermal Yzeiraj.

Ky i fundit informoi gjykatën përmes një emaili se nuk mund të ishte i pranishëm për arsye të një angazhimi akademik.

Ndërkohë, sipas tij, bashkëshortja e Beqajt kishte njoftuar se gjendja shëndetësore e ish-ministrit ishte përkeqësuar për shkak të hernies, duke bërë të pamundur paraqitjen e tij në sallë.

Vetë Beqaj ka dërguar një deklaratë me shkrim, shoqëruar me një recetë mjekësore për terapinë që po ndjek në qelitë e paraburgimit, ku kërkonte që seanca të mos zhvillohej në mungesë të tij.

Ish-ministri i Shëndetësisë përballet me akuzën për “shpërdorim detyre, e kryer në bashkëpunim”, në lidhje me koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, mbetjeve biologjike dhe dezinfektimit të sallave.

Hetimi i SPAK, që mbulon periudhën kur Beqaj drejtonte ministrinë, ka çuar në bankën e të pandehurve edhe 8 persona të tjerë, mes tyre ish-zv/ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, që ndodhen në burg që nga gushti i vitit të kaluar.

Në proces do të përfshihen gjithashtu edhe gjashtë ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, që kanë qenë pjesë e komisionit të vlerësimit të koncesionit.