Ish-presidenti Bamir Topi ka folur ditën e sotme në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vendin tonë. Topi i ftuar në News 24, është shprehur se nuk është habi e madhe të ketë pazare dhe bashkëpunime midis Bashës dhe Ramës.
Gjithashtu ai ka vënë në dukje se vendit tonë nuk i hynë në punë bashkëqeverisja midis dy partive, por se i duhet bashkëpunimi në parlament.
Ai gjithashtu është shprehur se kryeministri Rama, tashmë duhet të dorëzojë disa institucione, sipas tij jo opozitës por publikut.
Pjesë nga Intervista
Bamir Topi: Unë kam parimet e mia dhe kur flas sepse së pari nuk orientohem tek konspiracionet. E dyta marr në analizën time burimet faktike, aty ku ndodh, ku është fakt. Shumë gjëra janë thënë e s’janë bërë ndërkohë shumë gjëra janë bërë e s’janë thënë. Mos e quani habi.
Ka raste kur në publik në një marrëveshje mund ti thonë të fundit njëri-tjetrin dhe në darkë ose të nesërmen janë bashkë.
Kjo ndodh dhe në studio televizive. Më ka ndodhur. Njerëzve ti japim një pasqyrë tjetër dhe kthejmë në biznes politikën.
Pyetja: A ka bashkëqeverisje Rama-Basha?
Bamir Topi: Rama e shtrin dorën, por nuk mendoj që Shqipëria sot ka nevojë të ketë bashkëqeverisje në ekzekutiv. Mendoj që termi i bashkërendimit të qeverisje e kam kuptuar ndryshe. Shqipëria ka nevojë për reforma që kërkohet prania dhe vota e opozitës. Kjo ka ndodhur në të kaluarën. Kur kërkohen 2/3 për Reformat ë rëndësishme. Ky është element i bashkëqeverisjes. Nëse kuptohej në ekzekutiv atëherë ky vend jo vetëm që ka një opozitë të dobët por riskon të mbetet pa opozitë. Do të shkonte në favor të Edi Ramës. Në formatin tim si politikan do të rekomandoja bashkëpunim në parlament. Rama duhet të demonstrojë me vepra atë që thotë me fjalë. Rama duhet të dorëzojë shumë institucione, jo opozitës, por publikut. Sot institucionet janë në dorë të militantëve. Kemi mjaft raste që kanë punuar në OJQ dhe katapultohen në politikë.
Kur shihet që dhe kryetari i opozitës është i përfolur për pazare politike me kryeministrin, dalim tek ajo që thamë, ku është transparenca, pse nuk flasin.
Në politikë kemi humbur interpretimin se punojnë për veten e tyre, klanet dhe interesat vetjake.