Shqiptarët të dytët në botë për largime dhe azil, qeveria shpall procedurat se si aplikohet për leje punë për shtetasit e huaj  

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Mund të duket si absurde në këtë kohë, por vendimi për të thjeshtuar procedurat për shtetasit e huaj që do të kërkojnë punë në Shqipëri vitin që vjen, u “fik llambën” edhe teorive më ekstreme anti-konsipative .

E në fakt qeveria “Rama” nuk është menduar dy herë, por në kulmin e pandemisë dhe të krizës ekonomike, kur shqiptarët po marrin rrugën sërish nga malet për të kërkuar azil në Europë, ajo ka shpallur procedurat e reja për aplikime pune në vendin tonë nga shtetas të huaj.

Kjo duket si një kundra-pedal apo një “kthim restoje” që qeveria po u bën të gjithë shqiptarëve të cilët në pamundësi punësimi dhe përballimi të jetesës në vend, zgjedhin edhe me rrisqe të mëdha largimin nga Shqipëria dhe azilin në Europë.

Por në shpalljen më të fundit që qeveria ka bërë, u ka dhënë “mundësinë” kompanive dhe bizneseve shqiptare që kanë punësuar të huaj, që të mund të aplikojnë online në portalin “e-Albania”, për marrjen e lejes të punës për këta shtetas.

Kërkesa drejtuar Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), shoqëruar me dokumentacionin përkatës, mund të bëhet nga vetë shtetasi i huaj ose punëdhënësi i tyre.

VKM-ja që do mbush Shqipërinë me aziatikë e afrikan, fakt i kryer

Vendimi i qeverisë me kriteret, proceduarat dhe tarifat e pajisjes me leje pune është botuar tashmë në Fletoren Zyrtare dhe përcakton se, aplikuesi përveç kërkesës në gjuhën shqipe, duhet të dorëzojë online, dokumente (të jenë të përkthyera në gjuhën shqipe dhe të njësuar me origjinalin nga noteri), si: kontrata e punës; kualifikimet profesionale; prokurën nga i huaji apo punëdhënësi, nëse aplikimi kryhet nëpërmjet një përfaqësuesi të autorizuar, si dhe kërkesën e paraqitur në institucionet përkatëse, për t’u siguruar në skemat e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Për herë të parë, për shtetasit e huaj, të kualifikuar si “punonjës të lartë”, nëse plotësojnë kriteret, leja e punës jepet me një afat jo më pak se 1 vit. Të huajit i ripërtërihet leja e punës, si punonjës me kualifikim të lartë, për 2 herë radhazi me një afat 2-vjeçar e më pas me afat të përhershëm.

Kjo e fundit ndodh nëse ka një kontratë pune të vlefshme, në përputhje me formimin e tij profesional, për një afat 2-vjeçar, por jo domosdoshmërish me punëdhënësin, që ka përfituar lejen e parë të punës dhe është me qëndrim të ligjshëm në Shqipëri.

Sa do t’u kushtojë refugjatëve dokumentacioni

Qeveria shqiptare jo vetëm që e ka seriozisht mbushjen dhe ripopullimin e Shqipërisë me aziatikë dhe afrikanë nga bota e tretë, por ka vënë edhe “dorën në zemër” duke u’a thjeshtuar por edhe bërë më pak të kushtueshme procedurat atyre që do të vijnë.

Tarifa për marrjen e lejes të punës për ata shtetas të huaj, që pajisen për herë të parë, do të jetë 6000 lekë (të reja), ndërsa për ata që u ripërtërihet leja e punës tarifa është 3000 lekë (të reja).

Vendimi përcakton se, shtetasit të huaj i refuzohet leja e punës, për rastet kur nga AKPA-së, pas paraqitjes së kërkesës verifikohet se në QKB, punëdhënësi është i regjistruar me statusin “pasiv”, dhe nuk ka shlyer detyrimet lidhur me pagat e punonjësve, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore nga ana e subjektit, pranë të cilit do të punësohet i huaji.

Nëse AKPA-së vlerëson se, dokumentacioni i paraqitur është i plotë e pajis të huajin, brenda 10 ditëve me leje pune. E njëjta procedurë ndiqet edhe në rastin e shqyrtimit të dokumentacionit për ripërtëritjen e lejes së punës.

Dokumentet që dorëzohen online për leje pune në Shqipëri:

– kërkesën e të huajit me të dhënat personale (sipas formatit të publikuar më poshtë)

– kopjen origjinale të kontratës individuale të punës, ku të plotësohen kushtet e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi;

– dokumente që vërtetojnë kualifikimet e larta profesionale në profesionin apo në sektorin e përcaktuar në kontratën e punës;

– kopjen e pasaportës;

– prokurën apo autorizimin nga i huaji apo punëdhënësi, nëse aplikimi kryhet nëpërmjet një përfaqësuesi të autorizuar;

– kërkesën e paraqitur në institucionet përkatëse, për t’u siguruar në skemat e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; e) një fotografi të aplikuesit, të bërë jo më përpara se 6 (gjashtë) muaj nga data e aplikimit, me përmasa 47 mm x 36 mm, të marra në plan me sfond të bardhë, të fokusuara dukshëm e qartë. Fotografia duhet të tregojë personin përballë, me qëndrim neutral e sytë të hapur e të dukshëm.

Paradoksi/ Mbi 60 mijë shqiptarë morën leje qëndrimi në BE për 2019-ën

Si rrjedhojë e emigracionit të lartë në vendet e Bashkimit Europian, shqiptaret janë ndër përfituesit më të mëdhenj të lejeve të qëndrimit në BE. Për vitin 2019 sipas të dhënave të Eurostat, morën leje qëndrimi në BE 60 mijë e 259 shqiptare, duke u renditur kështu të 11-tët në rang global, me numrin e lartë të leje qëndrimeve të përfituara, ndër të gjitha shtetet e botës  jo BE.

Të dhënat tregojnë se mbi 22 mijë shqiptare morën leje për bashkim familjar, mbi 600 shqiptarë përfituan leje për arsye të punësimit, mbi 2200 për studime dhe mbi 15 mijë për arsye të tjera, ku përgjithësisht përfshihen azilkërkuesit.

Sipas Eurostat në vitin 2019, rreth 3.0 milion leje qëndrimi u lëshuan në BE për shtetasit jo-BE. Numri u rrit me 6% (ose 163 000) krahasuar me 2018, duke vijuar trendin rritës të vërejtur që nga viti 2013.

Arsyet e lidhura me punësimin përbënin 41% të të gjitha lejeve të qëndrimit të lëshuara në BE në 2019, arsyet familjare për 27%, për studime  14%, ndërsa arsyet e tjera, përfshirë mbrojtjen ndërkombëtare, përbënin 18%. Numri më i lartë i lejeve të lëshuara në krahasim me popullsinë ishte në Maltë, Qipro dhe Poloni.

/Burimi: Eurostat; Monitor.al/Përshtati: GazetaReforma.com/

Shpërndaje
Share.

Komento