Shqipëria po boshatiset me shpejtësi dhe në vitet e fundit llogariten vetëm njërëzit që po largohen nga vendi ose ata që po humbasin jetën nga sëmundjet, krimi dhe aksidentet.
Kjo po bën që popullsia e vendit tonë të pakësohet më një rritëm të frikshëm, në një kohë që lindshmëria në vend është e kërcënuar edhe nga numri i lartë i aborteve dhe vdekshmërisë foshnjore (e lartë po ashtu).
Anketa e madhe e fundit e emigracionit, e zhvilluar vitin e kaluar nga INSTAT, në rreth 20 mijë familje në të gjithë vendin, ka gjetur se, gjatë periudhës 2011-2019, ka emigruar jashtë vendit 13% e popullsisë ose mbi 360 mijë persona.
Nga kjo anketë, del se kryeqyteti Tirana, që ka edhe numrin më të lartë të popullsisë në vend, ka gjithashtu edhe numrin më të lartë të të larguarve jashtë.
Edhe pse duhet të mendohej e kundërta, pra që në Tiranë ka jetesë më të mirë, paga më të larta dhe mundësi punë më shumë, në fakt duket se është e kundërta.
Shqiptarët largohen nga zonat rurale dhe provincat për të ardhur si imigrantë në Tiranë, por pasi pësojnë zhgënjim të madh dhe humbasin vite investimi si në punë dhe në shkollim, largohen edhe prej saj për ta lënë përfundimisht vendin.
Kjo pasqyrohet qartë edhe në anketën e INSTAT-it, në një kohë që me emigrimin më të madh të familjeve, janë edhe Shkodra, Fieri dhe Durrësi, që kanë gjithashtu humbje të mëdha të popullsisë.
Por edhe Kukësi ka norma të larta të ikjes së popullsisë, jashtë dhe brenda vendit.
Gjatë 10-vjeçarit të fundit janë larguar nga vendi 6,6% e familjeve, gjithsej 49,500 të tilla, ndërsa në vitet 2001-2011 ishin larguar 4.4% e njësive familjare.
Tirana humb 10% të familjeve
Gjeografia e emigracionit në dekadën e fundit ka prekur edhe qarqet me nivelin më të lartë të jetesës siç është Tirana, Fieri dhe Durrësi, ku të ardhurat mesatare të familjeve janë përgjithësisht mbi mesataren kombëtare.
Anketa ka gjetur se, qyteti i Shkodrës pati nivelin më të lartë të emigracionit në raport me popullsinë e qarkut. Gjatë periudhës 2011-2019, ka emigruar 16.7% e popullsisë së qytetit, rreth 36 mijë persona, nga të cilët 15,700 janë emigrime familjare.
Pas Shkodrës, Fieri renditet i dyti për nivelin e lartë të emigracionit në raport me popullsinë. Në dekadën e fundit ka emigruar nga Qarku i Fierit 15,5% e popullsisë, ku 5% e tyre ishin të grupuar në familje. Nga Qarku i Fierit, i cili është dyti për nivelin e lartë të jetesës pas Tiranës, janë larguar mbi 48 mijë persona.
Vendin e tretë e zë Qarku i Durrësit, i cili ka humbur 14.1% të popullsisë në dekadën e kaluar, ku popullsia është pakësuar me mbi 37 mijë persona.
Tirana zë vendin e katërt për nivelin e lartë të emigracionit në total. Popullsia e Qarkut të Tiranës është pakësuar me 13.7%, ose me 102 mijë persona gjatë 2011-2019, por 77 mijë persona kanë migruar të grupuar në familje.
Ikin familje të tëra
Anketa ka zbuluar se Tirana ka emigracionin më të lartë të njësive familjare krahasuar me qarqet e tjera. Gjatë periudhës, 10.3% e familjeve të qarkut kanë emigruar.
Në vend të pestë për emigrim të lartë vjen Elbasani, ku ka emigruar 12.5% e popullsisë banuese e regjistruar më 2011, ku 5.2% e tyre ishin të grupuar në familje.
Sipas anketës, fluksi emigrator mbizotëronte kryesisht mes familjeve që kanë emigruar tërësisht. Kësisoj, 6,6% e familjeve që emigrojnë në tërësi përbëjnë 6,5% të popullsisë totale të regjistruar më 2011. Ndërsa emigrantët që kanë emigruar veçmas pa familjen zunë 15.5% të emigranteve gjithsej gjatë 2011-2019 dhe shënuan një fluks dalës prej 6,4% të popullsisë.
Tirana është rast i veçantë, ku 10,3% e të gjitha familjeve që kanë emigruar tërësisht ose 10,4% e popullsisë, janë larguar nga prefektura. Në të njëjtën kohë, përqindja e emigrantëve nga familje me emigrim të pjesshëm ishte tri herë më e ulët ne Tiranë.
Shteron forca e punës
Nga të 360 mijë personat që janë larguar nga vendi, shumica e tyre janë në moshë pune. 160 mijë persona ishin në grupmoshën 15-65 vjeç, ndërsa 12 mijë ishin të mitur, nën moshën 15 vjeç.
Për 183 mijë emigrantë të tjerë, mosha mbetet e panjohur, por shumica e tyre kanë qenë në moshë pune, duke parë trendin e përgjithshëm. Nga personat që kanë emigruar vetëm dhe jo me familjet, emigracioni ka qenë më i përhapur te grupmosha 20-29 vjeç, pjesa më produktive e popullsisë së re në moshë.
Tek personat që emigruan vetëm dhe jo me familjet, emigracioni i burrave ka qenë shumë më i lartë se ai i femrave. Për grupmoshën 20-29 vjeç, emigrimi i meshkujve ishte tre herë më i lartë se ai i femrave po në këtë grupmoshë.
Përgjithësisht, emigracioni është i përqendruar në popullsinë në moshë pune, kryesisht nga 15-65 vjeç dhe flukset më të larta shihen në grupmoshat nga 20 në 40 vjeç. Në të gjitha grupmoshat, meshkujt kanë emigruar më shumë se femrat. Popullsia në moshë pensioni ka pasur një numër më të paktë emigrantësh në raport me totalin.
Varfëria, arsye kryesore për emigrim
Për tri grupet e popullsisë në lëvizje (migrantëve, emigrantë, të kthyer dhe migrantë të brendshëm) u përgatit një vlerësim i motiveve për lëvizjen e tyre. Arsye kryesore e largimit nga vendi ishin problemet financiare dhe kushtet e jetesës, ndërsa për kthimin, arsyet familjare.
Anketa nuk ofroi informacion lidhur me motivet e familjeve që kanë lëvizur tërësisht apo planet e tyre për të ardhmen.
55-60% e emigrantëve brenda dhe jashtë vendit rendisin arsyet financiare dhe përmirësimin e standardeve për zhvendosjen nga vendbanimi, ndërkohë që arsye të tjera familjare dhe arsimi më i mirë kanë shtyrë 30% të emigrantëve të ikin.
/Burimi: INSTAT; Monitor.al/ Përshtati: Iconstyle.al/