Shqipëria humb deri në 120 milionë euro nga moszbatimi i ligjit për lojërat e fatit

Ligji për lojërat e fatit, i hyrë në fuqi më 1 prill 2024, vijon të mbetet i pazbatueshëm për shkak të mosmiratimit të 11 akteve nënligjore që duhej të ishin gati deri më 1 tetor 2024. Kjo situatë ka sjellë humbje të konsiderueshme për buxhetin e shtetit, sipas një analize të publikuar nga ALTAX.
Analiza vlerëson se zvarritjet në zbatimin e Ligjit Nr. 155/2015, i ndryshuar në mars 2024, i kushtojnë shtetit 7 deri në 12 miliardë lekë në vit, që përkthehen në rreth 70 deri në 120 milionë euro të humbura. Sipas ALTAX, zbatimi i pjesshëm i dispozitave ka krijuar boshllëqe rregullatore që kanë ndaluar dhënien e 10 licencave kombëtare, duke mbajtur jashtë tregut operatorët e ligjshëm dhe duke favorizuar rritjen e platformave të huaja.
Në raport thuhet se tregu i paligjshëm përbën aktualisht 60 deri në 75 për qind të qarkullimit total, me xhiro të përllogaritura nga 150 në 250 milionë euro në vit. Ky volum aktiviteti mbetet plotësisht i pataksuar dhe jashtë kontrollit të autoriteteve shqiptare.
ALTAX thekson se potenciali fiskal është i madh. Nëse ligji zbatohet plotësisht, mund të sigurohen 12 deri në 18 miliardë lekë në vit nga tatimi 15 për qind mbi të ardhurat bruto të lojërave të fatit dhe nga tatimi 13 deri në 23 për qind mbi fitimet e lojtarëve me fitime mbi 5 milionë lekë.
Raporti nënvizon edhe mungesën e koordinimit mes institucioneve përgjegjëse dhe Inteligjencës financiare, si dhe mungesën e një infrastrukture të integruar digjitale për monitorimin e transaksioneve online. Për pasojë, sistemi aktual i raportimit financiar konsiderohet i fragmentuar dhe joefektiv në identifikimin e flukseve të parave të paligjshme.
ALTAX vlerëson se moszbatimi i ligjit dëmton drejtpërdrejt buxhetin e shtetit dhe krijon një terren të pabarabartë konkurrues mes operatorëve të licencuar dhe atyre të nëndheshëm. Sipas analizës, përdorimi i gjerë i platformave të huaja rrit rrezikun për pastrim parash dhe evazion ndërkombëtar, duke dobësuar mekanizmat fiskalë të vendit.
Për zgjidhjen e kësaj situate, rekomandohet miratimi urgjent i 11 akteve nënligjore për të bërë të zbatueshme dispozitat e ligjit, rifillimi i procesit të licencimit me kritere të qarta dhe transparente, si dhe vendosja e masave të përkohshme për formalizimin e operatorëve përmes një periudhe tranzitore të regjistrimit.
Sipas analizës, formalizimi i tregut përmes monitorimit digjital dhe bashkëpunimit institucional mund të kthejë një sektor me informalitet të theksuar në një burim të rëndësishëm të ardhurash dhe transparence ekonomike.
Lexo më tej
Rasti i tretë brenda pak ditësh/ Një tjetër punëtor humb jetën nga rryma elektrike, pikëpyetje për sigurinë dhe mbrojtjen në punë
Një tjetër punëtor ka humbur jetën gjatë punës, duke shënuar rastin e tretë brenda vetëm pak ditësh në…
Nga Shqipëria e diaspora drejt Prishtinës, marsh për ish-drejtuesit e UÇK-së
Qytetarë nga Shqipëria dhe diaspora janë nisur këtë të shtunë drejt Prishtinës për t’iu bashkuar marshit kombëtar në…
Armët që ekzistojnë për Nufin, por ende jo për Pucën/ Skandali i AAT thellohet: Kompania që “prodhon për konflikte” ka vetëm 2 punonjës
Një deklaratë e ministrit të Mbrojtjes, dokumentet e Tatimeve dhe pohimet e vetë administratores së Advanced Arms Technology…
161 mijë $ në emër të Nënë Files, shtëpinë e bën kompania falas/ Ku janë paratë? Organizata pa bilanc për fondin që shqiptarët ia besuan Andit
161,754 dollarë u mblodhën nga shqiptarët për Nënë Filen dhe djalin e saj Andi, pas një fushate që…