“Shqipëria e ka humbur trenin për 2019-ën”, Rama gjen fajtorët për dështimin e negociatave

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të paketës “Anti KÇK”, është ndalur edhe tek vendimi negativ i BE për hapjen e negociatave.

Kreu i shtetit është shprehur se ajo që ndodhi shkaktoi shumë zemërim, si ndaj qeverisë, por edhe faktorëve të jashtëm.

Rama e lidhi vendimin negative të BE, me konfliktin e brendshëm mes Francës dhe Gjermanisë, për mënyrën sesi duhet të reformohet BE-ja.

Më tej ai bëri me dije, se pak ditë më parë janë thirrur në Paris, ambasadorët e Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, për të diskutuar platformën e Francës për zgjerimin.

Sipas Ramës, Shqipëria e ka humbur trenin për 2019-ën, por qeveria do të vijojë përpjekjet, pasi anëtarësimi në BE është në interes të vendit tonë dhe gjeneratave.

“Besoj që fakti që Gjermania konkludoi me një ‘Po’ të Bundestagut është një provë që përpjekjet tona rezultuan të suksesshme. Duke u përqendruar tek ajo po na është dhënë mundësia që në mungesë të vendimit për çeljen e negociatave të kemi një udhërrëfyes për procesin e integrimit europian.
Është fare e qartë nga ana tjetër se ajo që ndodhi natyrisht nuk mund të mos e trondiste opinionin publik dhe nuk mund të mos krijonte një ndjesi zemërimi, një pjesë ndaj qeverisë, një pjesë ndaj faktorëve të tjerë, brenda ose jashtë. Ka shumë versione për këtë. Unë besoj se si dëshmitar i procesit mund të dëshmoj versionin tim që refuzimi në fund ishte rezultat i një konflikti të brendshëm që lidhet me divergjencat mes Francës e Gjermanisë për mënyrën se si duhet të reformohet BE. Kaq e vërtetë është kjo sa që para pak ditësh në Paris janë thirrur 4 ambasadorë, i Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të zi dhe Shqipërisë. Janë thirrur për të çelur një dialog lidhur me qëndrimin e Francës në raport me mënyrën e zgjerimit dhe mënyrën se si sipas Francës duhet të konfigurohet procesi. Pavarësisht se çfarë kemi bërë ne, pavarësisht se si duhet të reformohemi, vendimmarrja ishte fryt i brendshëm në Këshillin Europian që ka prodhuar një divergjencë. Ne e kemi humbur këtë tren në 2019 në funksion të kësaj divergjence. Pavarësisht vendimit, Shqipëria nuk ka asnjë rrugë tjetër. Ne do vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë që duhet të bënim në rast se vendimi do ishte pozitiv. Në fund të ditës, ne e kemi shprehur në programin qeverisës, procesi i integrimit nuk është një proces që e bëjmë se na e kërkojnë të tjerët, apo thjesht se duam të arrijmë në një stacion, por e bëjmë sepse është në interes të vendit tonë, në interes të gjeneratave të tjera. Na jep ne mjetet e nevojshme dhe importon nga BE dijen e nevojshme për të modernizuar shtetin”, u shpreh Rama.

Përsa i përket reformës në drejtësi, kreu i qeverisë tha, se nuk do të bëhej kurrë pa mbështetjen e BE dhe Amerikës.

Shpërndaje
Share.

Komento