Refuzimi i hapjes së negociatave ka shkaktuar zemërim dhe mosbesim tek shqiptarët.
Këtë e konfirmojmë edhe disa ekspertë të ndryshëm politik në Tiranë.
Prof, Afrim Krasniqi, i intervistuar nga “Deutsche Welle”, është shprehur se ky vendim do të ketë pasoja në aspektin social, psikologjik dhe në politikën e brendshme.
Lajm i keq, gabim i Francës, goditje ndaj aspiratave të rajonit për të hyrë në BE, pasoja tek qytetarët dhe zhvillimet e brendshme në dy vendet. Analistë të pavarur të Tiranës bashkohen në këto cilësime për vendimin e Këshillit Europian, të premten,(18.10.2019) që nuk mori vendim për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Pasojat do të ndjehen më shumë në aspektin social, psikologjik dhe në politikën e brendshme. Në aspektin social do të jetë e vështirë të ketë zgjerim të biznesit vendas apo investitorë të huaj, në aspektin psikologjik do të rritet përqindja e skeptikëve ndaj projektit europian si bashkësi vlerash dhe parimesh, në aspektin e politikës së brendshme bien shanset për një reformim të sistemit politik, për më shumë llogaridhënie dhe në emër të stabilitetit do të vijojë tendenca e personalizimit të pushtetit” thotë për DW . Prof.Dr. Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit për Studime Politike.
Ndërsa analistja Edlira Gjoni, e sheh vendimin e BE-së në qëndrim në mbështetje të forcave të errëta, që duan ta lënë pas Shqipërinë.
Sipas saj, Franca ka gabuar jo vetëm në veton ndaj dy vendeve, por edhe në idenë e reformimit të strategjisë së zgjerimit.
“Është një fshikullim për qytetarët e thjeshtë, një lëvizje e pamerituar për ta dhe dy vendet. Është një qëndrim që duket si mbështetje për të gjitha forcat e errëta që duan ta lënë pas Shqipërinë si korrupsioni dhe krimi i organizuar, duket se këtyre forcave u jep oksigjen, u shton aftësitë vepruese” thotë për DË, Edlira Gjoni.
Më tej Krasniqi mendon se mosmarrja e vendimit për hapjen e negociatave, do të ketë impakt rajonal.
Kjo do t’i japë goditje aspiratave të vendeve të rajonit dhe mbështetjes europiane për rrymat politike perëndimore.
“Pasojat e vendimit të Këshillit Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të kenë impakt rajonal. Ato janë një goditje ndaj aspiratës së vendeve të rajonit për progresin që sjell procesi i integrimit dhe mbështetja europiane ndaj politikanëve të rrymave politike liberale pro perëndimore. Mosmarrja e vendimit dëmton procesin politik midis Prishtinës e Beogradit pasi nuk ka më asnjë garanci se marrëveshjet e rëndësishme politike do të llogariten si investime drejt integrimit, si ndodhi në rastin e emrit me Maqedoninë e Greqinë”, thekson Afrim Krasniqi.
Ndërsa Edlira Gjoni e çon edhe më tej argumentimin, duke thënë se pasojat mund të jenë edhe më tragjike, duke shkaktuar boshatisjen e Ballkanit.
Për të shpopullimi do të jetë një forma proteste ndaj izolimit të padrejtë që po marrin nga BE-ja.
“Sot BE dhe Ballkani janë më larg njëra-tjetrës sesa 5 vite më parë,kur filloi procesi i Berlinit, për t’i dhënë impulse të reja procesit të integrimit europian në BP. Të gjashta vendet e kanë parë procesin e anëtarësimit si busull, si motorin e përpjekjeve për të shkuar përpara. Nëse kjo busull rresht së funksionuari, nëse shtyhet, riformatohet a çfarëdo që t’ia vënë emrin diplomatik, pasojat mund të jenë të rënda dhe tragjike. Paqja dhe stabiliteti mund të qëndrojnë, por të rinjtë jo. Do të ikin, do boshatisin Ballkanin me ritme të larta e ky shpopullim mund të jetë tragjedia e vërtetë. Është pasojë e reagim proteste edhe ndaj këtij izolimi, këtij trajtimi të padenjë që marrin tani edhe nga BE, ku kanë mbajtur shpresa të mëdha dhe që po ua shuan vetë BE, ” thekson Edlira Gjoni.
Përsa i përket pasojave politike, Krasniqi mendon se e gjithë klasa drejtuese ka qenë e investuar pro një vendimi negative, për shkak të frikës ndaj procesit të thellë të monitorimit, llogaridhënies dhe standartesh demokratike.
“Mos marrrja e vendimit për të hapur negociata, në Shqipëri nuk do të shkaktojë krizë politike pasi e gjithë klasa politike ka qënë në thelb e investuar pro një vendimi negativ, për shkak të frikës së saj ndaj një procesi të thellë monitorimi, llogaridhënie dhe standardesh më të larta demokratike. Në periudhë afatgjatë nëse vijohet e njëjta vendimmarrje, pasojat do të mund të llogarisin forcimin e linjave politike nacionaliste dhe ndofta edhe fetare, si dhe dobësim të partive pro perëndimore dhe lidhjeve tradicionale me disa vende të BE”, mendon Afrim Krasniqi.
Ndërsa kërkesa e opozitës për dorëheqjen e kryeministrit, është parë nga analisti Aleksandër Çipa, si një pretekst shtesë, për shkak se Shqipëria prej kohësh karakterizohet nga realiteti politik anormal, që po sjell efekte negative në jetën ekonomike dhe shoqërore.
“Kërkesa e opozitës shqiptare për dorëheqjen e Kryeministrit Rama është një argument shtesë, një pretekst shtesë pasi Shqipëria prej kaq kohësh karakterizohet nga një realitet politik anormal, që po shtresezon disa pasoja dhe efekte negative në jetën administrative, institucionale, ekonomike dhe shoqërore. Kemi devijim standartesh të cilat kanë sjellë dhe do të shtojnë pasojat” thotë për Dw , Aleksandër Çipa.