Skip to content
Kryesore

Shpërndante doza kokaine, arrestohet 26-vjeçari në Kamëz

· 2 min lexim

Një 26-vjeçar është arrestuar nga policia në Kamëz pasi u kap në flagrancë duke shpërndarë lëndë narkotike.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që ai drejtonte, shërbimet e policisë gjetën disa doza me lëndë të dyshuar si kokainë, të cilat u sekuestruan së bashku me automjetin dhe një aparat celular.

Sipas hetimeve paraprake, i riu dyshohet se shpërndante dozat e drogës në zona të ndryshme të Valiasit.

Ai po hetohet për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa materialet janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë:

Kamëz/ Goditet nga Komisariati i Policisë Nr. 5, një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza. Vihet në pranga 26-vjeçari që posedonte dhe shpërndante lëndën narkotike. Sekuestrohen doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 1 aparat celular dhe 1 automjet.

Komisariati i Policisë Nr. 5, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, kanë goditur një tjetër rast të shpërndarjes së drogave të forta në doza, si rezultat u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e shtetasit:

-B. D., 26 vjeç, banues në Kamëz. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin qarkullonte ky shtetas dhe kontrollit fizik, u gjetën disa doza me lëndë të dyshuar kokainë, 1 aparat celular, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës material sëbashku me automjetin.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se 26-vjeçari i shpërndante dozat në zona të ndryshme të Valiasit. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.