‘Shpërbëhet’ SHÇBA, nuk merr për bazë ankesat nga qytetarët, nxjerr jashtë loje numrat e telefonit, nuk heton…

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, është një nga sektorët më të rëndësishëm të Policisë së Shtetit, sektor i cili në një farë mënyrë, është kontrollori i gjithë punonjësve që kanë detyrën shtetërore, të mbajnë veshur uniformën blu e të garantojnë ligjin dhe rregullin në shtetin shqiptar.

Shkurt, SHÇBA, duhet të jetë një ndarje e pavarur e Policisë, për të gjetur e ndëshkuar edhe personat brenda radhëve të uniformave blu, që me vetëdije ose jo, shkelin ligjin, me veprimet apo mosveprimet e tyre, në një kohë që qytetarët shqiptarë presin që Policia të jetë garantuesja e zbatimit të rregullave.

Por, kur vetë SHÇBA nuk funksionon siç duhet, dhe e pavarur, kuptohet që ‘rrumpallë’ do jetë edhe Policia, për sa kohë nuk e kontrollon njeri.

Punonjësit e SHÇBA në gjumë

Faqja zyrtare online e këtij institucioni, ka që prej datës 18 gusht që nuk është aktive, duke mos postuar asnjë përditësim të fundit. Vërtetë kaq shembullorë janë punonjësit dhe drejtuesit e Policisë, sa nuk është gjetur asnjë shkelje? Për më tepër, minimalisht duhej një reagim edhe për pezullimin nga detyra të Artan Shkëmbit me firmë të drejtorit Ardi Veliu. Shkëmbi është kreu i OFL-së, si edhe njëkohësisht drejtor në Drejtorinë Qendrore, në departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

(Faksimile e njoftimeve nga faqja e SHÇBA, i fundit më 18 gusht)

Ndërkohë, edhe seksioni në faqen online për buletinet mujure nuk ka asnjë të dhënë, pa paraqitur asnjë raport për punën mujore.

Ankesa pa përgjigje

Edhe gjatë muajit gusht, në një shqetësim të ngritur nga portali ‘Iconstyle.al’, mbi muzikën e lartë në resortin ‘Prestige’, u ngrit një ankesë për mos reagimin e patrullës dhe policëve që kishin shkuar për inspektim, por ende nuk është marrë asnjë masë.

Numri ‘0800 90 90’, i vendosur për denoncime, nga ana e publikut, pranon vetëm një thirrje, ndërkohë që të tjerët duhet të presin në radhë.

Edhe rasti i Artan Shkëmbit, që përbën një skandal të madh, që përflitet se mund të sjellë edhe dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj, ka kaluar si asgjë e keqe tek SHÇBA, institucioni që drejtohet nga Muhamet Rrumbullaku, që prej 17 janarit të vitit 2019.

Presim të shohim nëse institucioni që duhet të kontrollojë personelin policor dhe t’u japë zgjidhje ankesave të qytetarëve, do zgjohet nga gjumi, apo pushimet e verës i kanë zgjatur më shumë se ç’duhet…?!

/GazetaReforma.com/

Shpërndaje
Share.

Komento