Kryeministri Rama, kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u dorëzojnë simbolin e ‘Dëshmorëve të Atdheut’ familjarëve të 4 viktimave të 21 janarit 2021.
Kryeministri Rama tha se 4 të vrarët gjatë protestave në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 21 janar 2011 janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut”. 4 viktimat Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj janë shpallur Dëshmorë të Atdheut.
Kryeministri Rama gjatë konferencës së tij, ka shpjeguar se humbja e 4 jetëve kanë ndikuar historinë e Shqipërisë në dy drejtime, marrëdhënien e qeverisë në raport me protestën dhe transformimin e sistemit të drejtësisë.
“21 janari përtej plagëve të pangushëllueshme, që hapin shpirtin e familjeve të 4 dëshmorëve. Nëse e shohim në aspektin e parë, sot kemi të gjitha arsyet për tu përulur me mirënjohje përpara kujtimit të këtyre 4 dëshmorëve, humbja e jetës të së cilëve vuri vijë të kuqe për të gjithë duke e bërë të pakapërcyeshme forcën e shtetit në raport me lirinë dhe të drejtën për të protestuar”, – tha Rama.
Kryeministri Edi Rama u kthye pas edhe në gjykimin e gardistëve nga gjykata.
“Faktikisht e thotë gjykata e Apelit dhe jo me fjalë, por me shkrim, që këta persona nuk kanë dashur të vrasin, por nga vetëbesimi i tepruar kanë krijuar viktima. Ky është absurdi i jetës reale i sistemit të drejtësisë që na duhet të përballemi dhe për këtë duhet të çojmë përpara reformimin e plotë të sistemit të drejtësisë”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se pavarësisht se nuk është vendosur drejtësi për viktimat e 21 janarit, e ardhmja është besimplotë duke iu referuar vetingut në sistemin e drejtësisë.
“Nëse e shohim 21 janarin me sytë e së djeshmes, ka 1001 fjalë që mund të thuhen për të argumentuar se nuk është bërë asgjë. Përderisa sot e gjithë ditën, 4 dëshmorët e 21 janarit, pas 10 vitesh nuk prehen të qetë ashtu sikundër të gjithë të afërmit e tyre sa herë që ajo plagë dhemb, nuk ka se si të marrin frymë të lehtësuar nga fakti që është bërë drejtësi.
Por nëse e shohim 21 janarin me sytë e së nesërmes dhe nëse bëjmë një vlerësim objektiv mes situatës së sotme dhe asaj të djeshme të sistemit të drejtësisë, kemi të gjitha arsyet që të jemi besimplotë që transformimi po funksionon. Një pjesë e gjyqtarëve nuk janë në sistemin e drejtësisë, një pjesë tjetër janë larguar duke dhënë dorëheqjen të vetëdijshëm që si pjesë e llumit nuk mund ta kalonin filtrin e sistemit ndërsa një pjesë tjetër janë ende në punë dhe nuk kanë kaluar në veting” – tha Rama.
Kryeministri Rama tha se drejtësinë për 4 viktimat e protestave të 21 janarit 2011, të shpallur dëshmorë të atdheut sot, nuk mund të vijë nga qeveria dhe parlamenti pasi ai nuk bën gjyqe, por kjo duhet të vijë nga drejtësia.
“Parlamenti nuk bën gjyqe dhe nuk jep vendime gjyqësore, qeveria nuk bën rolin e prokurorisë dhe as ministri i Drejtësisë dhe as kryeministri nuk mund të ngrenë akuza penale për t’ja çuar gjykatës së partisë. Është drejtësia që i bën të gjitha këto. Ende sot drejtësia nuk e ka kryer detyrën e vetë për të vënë në vend secilin nga pjesëmarrësit në atë tragjedi, për të vënë në vend të drejtën e padiskutueshme të të gjithë të afërmve të 4 dëshmorëve të 21 janarit”, tha Rama. /Gazetareforma.com/