Shoqërohen në komisariat! Ja kush janë dy të rinjtë që i ndërprenë fjalën Ramës

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kreu i qeverisë, Edi Rama, ishte i pranishëm ditën e sotme në ceremoninë e diplomimit të 1600 studentëve të Universitetit të Mjekësisë.

Mirëpo, teksa mbante fjalën e tij, Rama është përballur me një incident pasi dy të rinj e kritikuan ashpër me tone të larta.

“A e dini se studentët që diplomohen sot janë vetëm të pasur? Kam prerë biletën për t’u arratisur”, ishte fjalia e njërit nga studentët.

Ndërsa, ka reaguar pas kësaj edhe studenti tjetër që tha se tarifat janë tepër të shtrenjta në universitet.

Ata janë nxjerrë me forcë jashtë sallës dhe mësohet se janë shoqëruar në Komisariatin numër 1.

Bëhet fjalë për Enriko Peculi dhe Emiljando Kita, të dy aktivistë të Lëvizjes për Universitetin, të cilët pasi janë marrë në pyetje, ata janë lënë të lirë, ndërsa shoqërimi i të rinjve është bërë për prishje të qetësisë publike.

Emrat janë bërë të ditur nga faqja zyrtare e Lëvizjes për Universitetin, ku shkruhet:

Aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin i përplasin në fytyrë Edi Ramës realitetin e zymtë në të cilin ndodhet shëndetësia dhe profesioni i mjekut. Sot pasdite, Edi Rama kishte zgjedhur ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit të Mjekësisë si platformën e propagandës së tij qeveritare. Aktivistët Enriko Peçulaj dhe Emiljando Kita i kujtuan plakut që ka mbërthyer të gjitha pushtetet se diploma e mjekut është kthyer në biletë avioni për në Gjermani dhe se përbën një luks vetëm për ata studentë që mund ta përballojnë tarifën e kripur.

Mjekët shqiptarë kanë pagat më të ulëta në rajon me vetëm 408-527 euro në muaj. Në pesë vitet e fundit janë larguar 857 mjekë nga Shqipëria, ndërkohë që 78% e mjekëve të anketuar shprehen se dëshirojnë të largohen drejt Gjermanisë. Buxheti i shtetit për mjekësinë është më i ulëti në rajon dhe Evropë me vetëm 2.9% të PBB. Tarifa e Masterit në disa degë të UM është më e larta në vend, me mbi 200.000 lekë (të reja) në dy vjet.
Për më tepër, Edi Rama ka ngritur skemën më të madhe të vjedhjes së shqiptarëve përmes PPP-ve pikërisht në sektorin e shëndetësisë, ku në dhjetëvjeçarin e ardhshëm qeveria shqiptare ka autorizuar pagesën prej 38 miliardë lekësh për vetëm katër koncesione: Check-up-i (8.8 miliardë lekë), sterilizimi i sallave (12.3 miliardë lekë), shërbimi i hemodializës (1.5 miliardë lekë) dhe shërbimet laboratorike (13 miliardë lekë).

Ndërkohë, batutat e ‘plakut Mere’ dëshmojnë gjendjen e tij të mjeruar. Brezi i ri i mjekëve dhe infiermerëve nuk e meriton Edi Ramën si kryeministër. Ata duhet t’i bëjnë rezistencë shkretimit të mëtejshëm të profesionit të tyre.

Aktivistët Enriko Peçulaj dhe Emiljando Kita janë nxjerrë jashtë nga truprojat e Edi Ramës dhe mbahen të mbyllur në qelitë e komisaritatit nr. 1.

U bëjmë thirrje të gjithë aktivistëve të bashkohen për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.

Shpërndaje
Share.

Komento