Prokuroria e Tiranës thotë se ka zbuluar një skemë pastrimi parash nga Italia në Shqipëri, nëpërmjet një shoqërie fiktive me objekt tregtinë e arit. Nëpërmjet një njoftimi të përcjellë nga Prokuroria e Përgjithshme të premten, u bë e ditur se Prokuroria e Tiranës ka kërkuar caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” për dy shtetas shqiptarë me inicialet K.K. dhe dy italianë, P.C dhe N.T., për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” – kërkesë që është pranuar nga Gjykata e Tiranës.
Në njoftim sqarohet se hetimi ka filluar në vitin 2020 ndaj subjektit tregtar Tirana-Bullion sh.p.k. me administratore shtetasen K.K.., prej nga është evidentuar një skemë e transferimit të shumave monetare me me prejardhje të dyshuar kriminale, nëpërmjet sistemit bankar nga Italia me destinacion Shqipërinë.
“Nëpërmjet shoqërisë fiktive TIRANA-BULLION Sh.p.k me objekt tregtimin dhe eksportimin e floririt, bëheshin blerje fiktive të floririt dhe më pas shitje fiktive me fatura tatimore ku qëllimi i vetëm ishte që nëpërmjet këtyre faturave të justifikoheshin transfertat e vlerave të larta monetare me origjinë të dyshuar kriminale dhe që kapin shifrën e miliona eurove nga Bankat Italiane në ato Shqiptare”, citohet në njoftim. Burime të prokurorisë bënë me dije se janë trensferuar mbi 2 milionë euro.
Sipas organit të akuzës, këto transferta në dukje të justifikuara me anë të një faturimi të rregullt, duke i paraqitur si pagesa të blerjeve të floririt të përdorur, arrinin t’i shpëtonin kontrollit të agjencive mbikqyrëse në fushën e pastrimit të parave dhe sapo shumat mbërrinin në Shqipëri tërhiqeshin kesh dhe zhdukeshin.
Hetuesit konstatojnë se ka pasur shmangie të vlerës së detyrimit tatimor në këtë veprimtari të kundërligjshme që ka qenë vijuese./BIRN