Akademiku Artan Fuga ka reaguar në lidhje me vendimin e qevverisë për të shkrirë Akademinë e Albanologjisë. Sipas Fugës ky është një ndër veprimet më fatkeqe në këtë shekull, të cilën akademiku e cilëson si vetëvrasje kolektive.
REAGIMI I FUGËS
Edhe një herë për shkencat albanologjike dhe tufëzimin e instituteve shkencore të saj!
Vendimi për prishjen e qendrës të studimeve albanologjike dhe shkatërrimin e instituteve si pjesë e një institucioni kërkimor shkencor të pavarur, e krahasoj me vendimet prishëse më shkatërrimtare që fatkeqësisht kanë rënë mbi Shqipërinë në këtë shekullin e fundit.
Vetëvrasja jonë kolektive në shekuj!
Njësoj ta zëmë si vendimi për ndalimin e librave të dëmshëm dhe heqja nga qarkullimi me vendim të qeverisë në vitin 1946, njësoj si shkatërrimi i ligjeve në 1967, nga e cila goditje Shqipëria nuk po e merr veten edhe pas 60 vjetësh në respektimin e ligjeve, njësoj si vendimi për tufizimin në 1981, që nuk la këmbë derri dhe lope në këmbë, njësoj si vendimi për të lejuar piramidat financiare që e hodhën Shqipërinë në vaj e zi në 1997!
Nga pikëpamje shkencore, ngjitja e këtyre instituteve me akademinë e shkencave është me këto pasoja për ata që kuptojnë sadopak nga menaxhimi i kërkimit shkencor, se të tjerët nuk pretendoj të kuptojnë:
– I heq shkencat shoqërore albanologjike nga duart e një drejtimi të zgjedhur nga komuniteti shkencor, dhe i vendos në drejtimin e një forumi, asambleja e ash, ku kërkuesit shkencor jo vetëm nuk do të ushtrojnë asnjë vullneti, por do ta shohin me dylbi të drejtën për të zgjedhur drejtuesit e institucionit.
– I vendos studiuesit e shkencave shoqërore dhe albanologjike të moshave mesatare 40 – 50 vjeç nën autoritetin e akademikëve që janë në moshën mesatare nga 70 deri 80 vjecc. Pra, nën drejtimin e një brezi të plakur, që dikur me kontribute, sot gëzojnë vitet e pleqërisë së mbarë.
– I vendos kërkuesit shkencor të albanologjisë, të cilët kanë mundësi fizike, dhe mendore të bëjnë punë të lodhëshme në terren, ekspedita, misione eksplorimi, vëzhgime, intervista, anketa në terren, nën kontrollin dhe drejtimin institucional të një grupi shoqëror studiuesish, të nderuar sigurisht, me kontribute, sigurisht, por që në shumicën e tyre nuk kanë më asnjë mundësi fizike dhe materiale për të qenë në terren, atje ku ballafaqohesh me faktet shkencore, ose në punë të lodhshme në arkiva.
– I vendos forcat e gjalla për punë, forcat aktive kërkuese shkencore të studiuesve të albanologjisë nën drejtimin dhe kontrollin, nën autoritetin e studiuesve, sigurisht me kontribute dikur, por që kanë dalë në pension. Për herë të parë ata që ligjërisht janë në statute pune, vihen në historinë e njerëzimit nën autoritetin e pensionistëve.
– Vendos brezin e studiuesve të shkencave shoqërore dhe të albanologjisë, që bëjnë kërkimin shkencor dhe janë në kulmin e mundësive për t’u ballafaquar me korpuse dokumentare dhe me fakte terreni, etj. në vitet 2020, nën autoritetin e një asambleje, sigurisht, me individë me kontribute, por që e kanë pasur pjekurinë dhe kulmin e tyre, mesatarisht në vitet 80 ose 90, hajde deri në vitet e para të shekullit tonë. Pra, brezi i shekullit 21 vihet nën kontrollin e brezit të një shekulli më parë.
– Studiuesit e shkencave shoqërore dhe të albanologjisë që janë të specializuar në disiplinat specifike përkatëse vihen nën autoritetin e një grupi akademikësh, të nderuar sigurisht, por që në gjysmën e tyre, kur të votojnë, duhet të përballojnë me intuitë dhe disiplinë institucionale gjatë vendimarrjeve paditurinë tërësore shkencore në fushat albanologjike. Të studjosh yjet, ose thellësitë e shtresave të tokës, tërmetet, apo të shohësh përhapjen e një virusi nuk ka fare lidhje ta zemë me ison gjirokastrite apo me kostumet e Mirditës, lëre me regjimet politike gjatë historisë në Shqipëri, apo me fonetikën. Shkenca vihet në autoritetin e intuitës, dija shkencore vihet nën kontrollin e opinionit.
– Studjuesit e shkencave shoqërore dhe të albanologjisë kanë detyrime ligjore për plane pune, etj., kurse një pjesë e konsiderueshme e akademikëve, sado shumë të nderuar dhe me kontribute në të kaluarën, ligja nuk u njeh asnjë detyrim në qendrën akademike. Punonjësi me statut administrativ vihet nën kontrollin e një shumlice vullnetarësh.
– Për herë të parë punonjësit shkencorë studjues të albanologjisë vihen në kontrollin dhe drejtimin e punonjësve të jashtëm, sepse akademikët me përjashtim të nja katër a pesë prej tyre të gjithë janë punonjës që nuk bëjnë pjesë në organigramën e punonjësve të brendshëm të akademisë të shkencave.
– Pjesa më e madhe e kërkuesve shkencorë të albanologjisë ka përfunduar studimet universitare dhe ato doktorale me programe mësimore dhe shkencore të pas viteve ’90, një pjesë e madhe me diploma të huaja, kurse ata vendosen pas kësaj nën drejtimin e kontrollin e akademikëve, sigurisht të nderuar, por që në pjesën dërmuese kanë bërë studime universitare me programe të shkollës të izolimit diktatorial dhe pa diploma të huaja. Flas mesatarisht. Në këtë mënyrë formimi i pasviteve 90 vendoset nën mendësinë e formimit të viteve 80.
– Të mos harrojmë që studjuesit e shkencave shoqërore vendosen edhe një herë nën drejtimin dhe orientimin e akademikëve, të nderuar sigurisht, por pjesa e tyre më afër albanologjisë, ka drejtuar dikur albanologjinë dhe më pas natyrshëm ka shkuar në pension. Edhe një herë kemi restaurimin e drejtuesve të larguar nga postet e dikurshme, tashmë në pension, që do të kontrollojnë ish punonjësit e tyre.
Ja çfarë bënë!
– Vkm u kërkon kërkuesve shkencorë të albanologjisë të bëjnë punë për fjalorin, enciklopedinë, tekstin e historisë, ndërkohë që në vend që këto projekte të shkonin atje ku e kishin vendin, në albanologji, shkon shkenca atje ku vërtiten si dhurata politike projektet. Të imagjinosh që studjues të rinj të albanologjisë, të cilët kanë nevojë të bëjnë studime bazike në kërkimin e tyre shkencore, u kërkohet të bëjnë punime fundore karriere sikurse janë fjalorët dhe enciklopeditë.
Fundi vihet në fillim dhe fillimi vihet në fund!
Cila do të jetë pasoja në njëzet vjetët e ardhshëm : Askush nga ata që ndikuan vkm nuk do të jetë në gjendje pune, uroj të jenë në jetë, në shtëpitë e tyre, jo në azile, e spitale, por një gjë dihet: Shqipëria atëmot do ta dijë edhe më pak se kjo e sotmja se çfarë ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë !
Nuk di nëse është ky qëllimi i tufëzimit të instituteve të albanologjisë, por di si buka që ha se cila do të jetë pasoja.