Skip to content
Të Gjitha

40 persona të shëruar nga COVID-19 në vendin tonë: Mes tyre edhe dy mjekë të spitalit ‘Shefqet Ndroqi’

· 2 min lexim

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka dhënë sot lajmin se dy mjekë të spitalit “Shefqet Ndroqi” kanë dalë negativ në testin e COVID-19, duke e çuar në 8 numrin e mjekëve dhe infermierëve të infektuar që janë shëruar.

Sakaq kryeministri Edi Rama, në orët e para të mëngjesit të sotëm ka njoftuar se 7 persona të tjerë që ishin të infektuar me COVID-19 janë shëruar.

“Lajm i mirë: 7 të shëruar sot“, shprehet Rama në një postim në Facebook.

Kështu, ka shkuar në 40 numri i personave të shëruar nga COVID-19 në vendin tonë, të cilët do të vijojnë të jetë të vetëkarantinuar edhe për një periudhë 14-ditore.

MESAZHI I MANASTIRLIUT

#COVID-19
Edhe 2 mjekë të spitalit “Shefqet Ndroqi” janë shëruar, pas testimit konfirmues të kryer në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik.
Shkon në 8 numri i personelit mjekësor të #shëruar në Tiranë dhe Durrës.
Deri tani janë 40 pacientë dhe staf mjekësor që e kanë fituar betejën me #COVID-19.

Nga 9 marsi e deri tani në Shqipëri janë identifikuar 197 të infektuar me COVID-19, mes tyre 4 fëmijë, teksa janë shënuar 10 viktima.

Puka i është bashkuar listës së fundmi, me 3 të infektuar, ndërsa epiqendra është në Tiranë me 113 të infektuar, ndërkohë që Spitali Infektiv, COVID-1, po mbush kapacitetet me 77 shtretër.